A do ta takojë Kurti në ShBA, biznesmenin kosovar që premtoi investime milionëshe në Kosovë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke vazhduar vizitën e tij zyrtare në ShBA.

Tash e dhjetë ditë, Kurti ka zhvilluar takime të ndryshme atje, duke kërkuar mbështetje në zhvillimin ekonomik dhe jo vetëm.

Gjatë vizitës në ShBA, ai u takua me Guvernatoren e Iowa-s, Kim Reynolds dhe sekretarin e Bujqësisë së këtij shteti, Mike Naig.

Ndërkaq, së bashku me Ryan Carroll nga Greater Des Moines Partnership, përuruan hapjen e Shërbimeve Konsullore të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të bashkëpunimit në sektorin e arsimit, është pritur nga presidenti Rob Denson i Des Moines Area Community College, njofton Klankosova.tv

Në kuadër të vizitës në ShBA, kryeministri Kurti ka realizuar një takim edhe me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë UCX dhe po ashtu edhe me bashkatdhetarët në Çikago të Illinois.

Por mbetet të shihet nëse do ta takojë edhe biznesmenin kosovar, Gazmend Gjonbalaj, që në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-tës, premtoi miliona euro investime në Kosovë, në rast se do të fitonte Kurti.

Në mandatin e parë të qeverisjes, atëkohë kur Gjonbalaj premtoi 50 milionë dollarët, Kurti nuk zhvilloi ndonjë takim me biznesmenin, por tashmë që Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet për herë të dytë, mbetet të shihet nëse biznesmeni nga ShBA-ja do ta ndihmojë Kosovën me 50 milionë euro investim, ashtu siç kishte premtuar.

Gjonbalaj pohonte se nuk është profesionisti i vetëm që mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi, sipas tij, diaspora e do Kosovën./Klankosova.tv