Anëtari i VV’së, Avni Zogiani, ndonëse nuk është i informuar në linja zyrtare nëse i dërguari Special i Presidentit Trump, Richard Grenell të hënën do të vizitojë Kosovën, ai nuk e ka mohuar një takim me të.

I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të pranojë të takohet me Richard Grenell, ai nuk e ka mohuar këtë duke lënë mundësi që të deklarohen pas ndonjë ftese.

“Një informacion të tillë deri me tani zyrtarisht nuk na ka sjellë askush. Ne mendojmë se domosdoshmërish problemi nuk qëndron të Grenell edhe pse stili i Grenell në ndërmjetësim ka qenë problematikë. Por, problemi ka qenë te mungesa e vullnetit të palës kosovare dhe qëndrimit që të shkojë me kërkesa me platformë të ketë qartësi në secilin takim të tillë”, ka thënë ai.

Ndërsa është raportuar se Grenell do të vij nesër në Kosovë së bashku me delegacionin e tij.

Burime të Klan Kosovës brenda zyrës për Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC) konfirmojnë ardhjen e Grenell në Kosovë bashkë me delegacionin e Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit.

Kujtojmë se më 4 shtator është nënshkruar marrëveshja ekonomike Kosovë-Serbi, nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nën vëzhgimin e presidentit të Amerikës, Donald Trump.

Vlen të theksohet se marrëdhëniet në mes të liderit të VV’së, Albin Kurti dhe administrates Trump, e veçanërisht ndaj Richard Grenell nuk janë aspak të mira. Në një moment Kurti e kishte quajtur “cowboy”.