Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Në ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Mirëpo, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mbetet pikëpyetje edhe për qytetarët se a do t’i njohë Serbia tash pasaportën e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë në largim, ka thënë se për këtë do të gjendet një zgjidhje, ashtu siç ka ndodhur në shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe pasaportën e saj.

“Në një të ardhme mund të gjejmë një zgjidhje se si duhet të bëhet, siç është bërë me shtetet e tjera të cilat nuk njohin dokumentet e Kosovës. Por mund të njihet dokumentet e Kosovës, pra siç është pasaporta. Nuk dua të deklarohem më shumë sepse merr kohë deri te hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje. E lë të hapur, por nuk mund të precizoj tash. S’ka marrëveshje në kuptimin që nuk ka ndodhur Kosovë-Serbi. Ne e kemi dërguar një letër në parametrin që të ndodhë një linjë ajrore që të ndodh Prishtinë-Beograd. Këtë të arritur nuk e kemi arritur pa ndihmën e ambasadorit Grenell dhe të tjerëve që kanë qenë të kyçur. Por mos harroni se është hap përpara për Kosovën dhe jo hap prapa”, deklaroi ndër të tjera Haradinaj.