A do ta ndalë rritja e temperaturave përhapjen e COVID-19, çfarë thonë hulumtuesit nga Londra

Ideja se moti i ngrohtë mund të ndalë koronavirusin është zbehur pasi virusi është shpërndarë në të gjithë botën. Por a mundet një hulumtim i ri të japë shpresë për këtë?

Është ende herët të dihet sigurt nëse koronavirusi i ri është sezonal. Për të ditur këtë, duhet të shihet se si ndryshojnë rastet në një shtet përgjatë vitit. Tani mund të shohim vetëm shpërndarjen në rajone me klimë të ndryshme.

Cila është dëshmia?

Ka prova që rastet e koronavirusit kanë mbërthyer rajonet më të ftohta e më të thata. Një studim ka thënë se shtetet e prekura nga virusi – aty ku shpërndahej pa u vënë re – deri më 10 mars kishin mesatare më të ulët të temperaturave në krahasim me vendet tjera me më pak raste, shkruan BBC.

Një tjetër gazetë ka përcjellë 100 qytete të Kinës me më shumë se 40 raste të Covid-19 dhe ka sugjeruar se sa më e lartë është temperatura, aq më e ulët është shkalla e bartjes.

Dhe një tjetër studim po ashtu ka sugjeruar se edhe pse raste të koronavirusit ka në të gjitha vendet e botës, shpërthimi ka ndodhur kryesisht në rajonet më të ftohta e më të thata – të paktën deri më 23 mars.

Por, siç ka vënë në pah një grup hulumtuesish në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë në Londër, virusi tani është shpërndarë në të gjitha rajonet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “duke u shtrirë në të gjitha zonat klimatike, nga e ftohta, në të thatë e nga e nxehta në lagështi”.

A ka ndarje veri-jug?

Shumë viruse të tjera, përfshirë gripin sezonal, një model sezonal shihet në hemisferën veriore dhe atë jugore. Por rajonet tropikale afër ekuatorit nuk përjetojnë modelin e njëjtë.

Dhe disa nga rajonet e nxehta dhe të lagështa që kanë parë raste të bartjes lokale të virusit, si Malajzia dhe Republika Demokratike e Kongos, janë afër ekuatorit dhe mund të mos japin provën më të mirë se çka do të ndodhë në vendet tjera.

Por duke shikuar në hemisferën jugore, Australia dhe Zelanda e Re – në fund të sezonit veror kur rastet janë paraqitur – kanë pasur më pak raste se pjesët në hemisferën veriore.

Ka shumë faktorë të tjerë, sikur lëvizjet nëpër botë dhe densiteti i popullatës, që duhet monitoruar.

Dhe që kur virusi ka nisur të shpërndahej gradualisht në botë në të njëjtën kohë kanë ndryshuar edhe stinët, dhe është e vështirë të vërehen efektet e secilës klimë.

A janë koronaviruset tjera sezonale?

Ka prova që koronaviruset tjera mund të qarkullojnë vetëm gjatë muajve të dimrit, sipas një hulumtimi të University College të Londrës.

Ata kanë pyetur gati 2000 njerëz në një raport nëse ndonjëri nga ta ka pasur simptoma të sëmundjeve respiratore. Dhe të gjithë ata që kishin simptoma ishin dërguar për testime për disa lloj virusesh.

Nga kjo, hulumtuesit vunë re se rastet e koronaviruseve kishin pikun gjatë dimrit, njëjtë sikur gripi sezonal. Pati numër të vogël të rasteve gjatë verës.

Një nga autorët e studimit, Ellen Fragaszy, kishte thënë se “me gjasë do të shohim njëlloj lehtësimi gjatë verës”. Por akoma s’dihet se si do të sillet virusi i ri.

A është ky virus sikur koronaviruset tjera?

Koronavirusi i ri duket se shpërndahet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset e tjera.

Por ajo që e bën të dallojë është se sa ju bën të sëmurë dhe numrin e vdekjeve që shkakton.

Dr. Michael Head, nga Universiteti i Southamptonit, ka thënë se zhvillimi dhe ndikimi i koronavirusit të ri ishte “qartë shumë më ndryshe nga llojet e zakonshme të koronaviruseve”.

“Mbetet të shihet nëse rastet e Covid-19 do të ulen si përgjigje e ndryshimeve meteorologjike”, ka thënë ai.