Presidenca e Kosovës ka zgjedhur heshtjen karshi deklaratave të kreut të Vetëvendosjes, i cili të shtunën tha se nuk do të lejojë zhvendosjen e këtij institucioni në objektin e ish-komitetit “për shkak të apetiteve për luks të Thaçit”. Ky objekt aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë, stafi i të cilave pritet të kalojë në objekte private, për të bërë adaptimin e objektit për nevoja të Presidencës.

Ende pa u zgjedhur kryeministër, Albin Kurti ia ka bërë me dije Hashim Thaçit se nuk do ta lejojë që ai dhe stafi i tij të kalojnë në objektin e ish-komitetit, ku aktualisht janë të vendosur stafi i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Bujqësisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i VV’së ka bërë me dije se nuk do të lejojnë zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt.

Kurti ka thënë se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, asnjë institucion publik nuk do të zhvendoset në objekte private.

“Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, kishte shkruar Kurti, të shtunën.