A do ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut? Përgjigjet Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” në “News 24” prej ku foli për përpjekjet e Shqipërisë për një “PO” tek vendet anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave.

Cakaj theksoi se Maqedonia e Veriut nuk do të ndahet prej Shqipërisë, ndërsa shtoi se ky fakt është vulosur ditën e djeshme në Luksemburg.

“Ky është një proces që nuk varet më nga ana e Shqipërisë, por është i varur mbi debatet e brendshme ne Bashkimit Evropian. Sipas Macron pa një reformim të brendshëm të BE nuk ka negocim për shtimin e vendeve që vijnë nga jashtë. Nuk është ende një përgjigje pozitive.

Unë jam realist për situatën dhe nuk jam këtu të kultivoj pritje të larta për publikun. Kancelarja Gjermane nuk ka hequr dorë për të bindur Francën . Ekziston mundësia për një po të kushtëzuar.

Ne duhet të jemi realistë, sepse procesi nuk i takon Shqipërisë dhe as Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në një situatë që nuk mund të përcaktojmë politikat e vendeve të Evropës. Shumica e vendeve janë pro hapjes së negociatave.

Propozimi për ndarjen me Maqedoninë e Veriut ka dështuar që në Luksemburg. Ne po trajtohemi në mënyrë të njëjtë. Kjo tregon se dy vendet kanë plotësuar kushtet”, deklaroi ai.