Abdixhiku: ‘Rruga e re’ po merr formë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku, ka thënë se “rruga e re” po merr formë çdo ditë, pas takimit që pati të enjten me afro 100 udhëheqës të bizneseve në Kosovë.
Abdixhiku ka nisur një sërë takimesh në atë që e ka quajtur si “rruga e re”, por pa kryeministrin Albin Kurti në të. Më herët, u takua me gazetarë, organizata të shoqërisë civile dhe ligjërues universitarë për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend. Sipas LDK-së, “rruga e re, synon të çojë Kosovën drejt një të ardhmeje të ndritur, duke dalë nga kriza aktuale”.
E pas takimit me udhëheqësit e bizneseve, Abdixhiku ka thënë se pjesëmarrja e lartë e tyre është, sipas tij, shenjë e përgjegjësie që “rruga e re” po merr.
“Takova sonte udhëheqësit, pronarët e themeluesit e 100 bizneseve më të mëdha në vend. Janë taksapaguesit e punëdhënësit më të mëdhenj në shtet. Kolektivisht kontribuojnë në 80% të ekonomisë së vendit tonë – dhe kjo flet mjaftë për këta patriotë modern. Pjesëmarrja e lartë e tyre në këtë takim përveç se vlerë dhe nder, ishte shenjë e përgjegjësisë që ‘Rruga e re’ çdo ditë po merr. U bashkuam sonte, si pjesë e platformës diskutuese ‘Rruga e re’ për të folur hapur mbi gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike në vend; mbi sulmet e paprecedneta e kërcënimet e pakuptimta të politikës ndaj njerëzve që krijojnë vlerë, punësim e zhvillim. Vullneti ynë është i paepur, ndërsa ‘Rruga e re’ po merr formë çdo ditë”, ka shkruar Abixhiku.
Kryetari i LDK-së ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me platformë të detajuar “mbi çdo hap që vendi ynë duhet të marrë”.