Vërshime në Mitrovicë, Vushtrri e Skënderaj

Situata me vërshime është serioze edhe në Mitrovicë e Vushtrri. Këto komuna kanë kërkuar ndihmë edhe nga institucionet qendrore pasi disa nga lumenjtë kanë dalë nga shtrati. Njësoj gjendja është edhe në Skënderaj.

Madje situata mund të përkeqësohet nëse vazhdojnë reshjet e dendura.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe dëme në qytetin e Mitrovicës.

Si pasojë e shiut që ra për disa orë pa ndërprerë, ura që shfrytëzohej për të kaluar përtej lumit “Lushta” në Mitrovicë, u dëmtua.

Qytetarët thonë se vërshimet në këtë pjesë janë të zakonshme sa herë që ka reshje.

“Kjo urë është kaluse, ka qenë kaluse sa për të dalë në anën tjetër, dhe ajo tjetra e betonit më poshtë, po kjo ka qenë me drunj e ndërtuar, por ja fati ishte që vërshimet e morën”, thotë një qytetar për RTK-në.

Shiu depërtoi edhe në depon e një lokali, duke i shkaktuar dëme materiale, derisa punonjësit mundohen ta largojnë ujin.

Për të inspektuar gjendjen, në terren doli edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, me drejtorët e drejtorive komunale.

Hamza tha se komuna i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme si dhe ka mobilizuar operatorët.

“Reshjet e dendura kanë bërë që niveli i ujit në lumenjtë e qytetit të Mitrovicës të rritet dhe kjo ka shkaktuar një situatë serioze prandaj jemi duke e vëzhguar situatën nga afër”, ka thënë Hamza përmes një postimi në rrjete sociale.

Nga reshjet është prekur edhe Vushtrria, përkatësisht rruga u bë vështirë e kalueshme në fshatin Pestovë. Kjo bëri që të shkaktohet edhe kolona e gjatë.

Edhe ne Vushtrri, në terren doli kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi bashkë me drejtorin e Emergjencave.

Idrizi ka njoftuar se ka qenë në teren nga mëngjesi nëpër qytet e fshatra për të parë nga afër gjendjen e lumenjve pas reshjeve të shiut.

Ai falënderoi operatorët që ndihmuan me makineritë e tyre për të intervenuar në terren.

Vërshime të shumta ka pasur edhe në Skenderaj. Atje pjesë të ndryshme të qytetit janë vërshuar, kurse lumi “Klina” në disa pjesë ka dalë nga shtratri duke shkaktuar vërshime.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe të hënën, sidomos në pjesën e Dukagjinit.