Juventusi e mposht Sampdorian mes polemikave (Video)

Juventusi ka arritur të rikthehet te fitorja në Serie A pas barazimit në mesjavë ndaj Atalantës, teksa sot në mesditë “Zonja e Vjetër” triumfoi 2-1 me vuajtje kundër Sampdorias.

“Bianconerët” zhbllokuan shpejt ndeshjen në minutën e dytë me yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldon që me një të djathtë potente mposhti Auderon.

Me kalimin e kohës, Sampdoria mori dominimin e takimit, gjersa gjeti golin e barazimit në minutën e 33-të me Fabio Quagliarellan, që shënoi nga pika e bardhë pas konsultimit të gjyqtarit me VAR-in.

Tre pikët Juventusit ia siguroi Cristiano Ronaldo që ashtu si Quagliarella, u tregua i saktë nga 11 metra kur kishin kaluar 66 minuta lojë.

Në minutat e fundit të ballafaqimit u shënua një moment kontravers, derisa Sampdoria realizoi golin e barazimit me Saponaran, por gjyqtari e anuloi për shkak të një pozcioni jashtë loje, pasi shikoi pamjet në monitor. Megjithatë topi te Saponoara ishte rikthyer nga prekja e fundit e mbrojtësit të Juventusit, Alex Sandro.

Pas kësaj fitoreje, Juventusi ka 53 pikë në krye të tabelës, 12 më shumë se Napoli që sonte pret Bolognën.

https://twitter.com/TLNTV/status/1078998431417409536?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1078998431417409536&ref_url=https%3A%2F%2Fballkani.info%2Fronaldo-shenon-golin-e-dyte-ndaj-sampdorias%2F