Presidenca nuk tregon nëse Martin Berishaj erdhi në Kosovë për ta “sqaruar situatën”

Një ditë pas publikimit të lajmit se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në një aferë të shpëlarjes së parasë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ai do të thirret në Kosovë për ta sqaruar situatën.

Edhe gati pas një jave, që kur u publikua ky skandal ende nuk dihet nëse Berishaj erdhi në Kosovë për të sqaruar se çfarë po ndodhë, shkruan Demokracia.com.

Të premten Zyra e Presidentes kishte njoftuar se Osmani, në komunikim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. “Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër.”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Demokracia.com ka pyetur në Zyrën e Presidentes, nëse gjatë këtyre ditëve Martin Berishaj ka ardhur në Kosovë.

Por, ata si gjithnjë nuk kanë kthyer përgjigje, shkruan Demokracia.com.

Nga Presidenca nuk kanë treguar nëse Berishaj është kthyer në Kosovë për të sqaruar situatën apo nëse kanë pranuar raport me shkrim nga ai.

Po ashtu Demokracia.com për këto pyetje ka tentuar ta kontaktojë edhe vet ambasadorin Berishaj, por ai nuk është përgjigjur në asnjë nga telefonatat e redaksisë.

Ndryshe, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili jeton që një kohë të gjatë në Slloveni, është quajtur nga mediat sllovene si “mushka financiare”, pasi që ai dyshohet se është përfshirë në një skandal qindra mijëra euro së bashku me kryetarin e Partisë së Lirisë, i cili të dielën i fitoi zgjedhjet në Slloveni, Robert Golob.

Në këtë aferë financiare, e cila po hetohet nën dyshimet se ka të bëjë me shpëlarje parash, ambasadori i Kosovës është i dyshuar për bartjen e rreth 600 mijë eurove CASH nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven, përcjell Demokracia.com.

“Kush ishte mushka financiare që ia ktheu Golobit paratë? Pronari i MB Consulting dhe i vetmi punonjës, Martin Berishaj, e ka arsyetuar këtë në organet tatimore të Malit të Zi me një marrëveshje kredie që ka lidhur me kompaninë e tij. Këtë pjesë të parave prej 197 mijë e ka tërhequr nga llogaria e tij personale, ndërsa pjesën tjetër të parave, gati 320 mijë euro, e ka tërhequr si pagesë fitimi nga një llogari biznesi. Por kujdes, paratë supozohet të kthehen në drejtimin nga kanë ardhur. Burimi që ka ofruar dokumentacionin për Planet TV thotë se janë inteligjenca që janë shkëmbyer mes shërbimeve të ndryshme inteligjente gjatë hetimit financiar. Ata dyshohet se e kanë njohur Martin Berishaj të lartpërmendur si një nga mushkat financiar që dyshohet se i kanë çuar paratë te Golob. Gjithashtu bëhet me dije se Golob i investon këto para në një nga fondet italiane, ku investitorët lejohen të mbeten anonimë”, shkruan mediumi slloven SiolNET, përcjell Demokracia.com.
Martin Berishaj vepron që një kohë të gjatë në Slloveni, por ai është i emëruar ambasador në Kroaci dhe është i afërt me Kurtin e Osmanin.

Demokracia.com më herët kishte raportuar se Berishaj pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci, e mori edhe shtetësinë kosovare me dekret të presidentes Osmani.

Kërkesën për shtetësi ai e kishte bërë kinse për “çështje shkencore”, meqë thoshte se ishte i angazhuar si “profesor vizitorë” mbi një dekadë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Në shkresën e tij, Berishaj i betohej presidentes Osmani se do të jetë qytetar i devotshëm dhe do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe zakonet e vendit tonë.

Berishaj jeton në Lubjanë dhe është banor rezident në Slloveni. Ai është i angazhuar disa ditë gjatë javës si profesor i rregullt në Universitetin e Lubjanës në fusha të shkencave shoqërore.