Rusia e Ukraina takohen sot në orët e pasdites
Rundi i tretë i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë do të nisë sot në orën 16:00 me kohën e Kievit.
Lajmin e konfirmoi në Twitter Mihailo Podolyak, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njëherësh pjesëmarrës në delegacionin negociues, transmeton Reporteri.net.
Bisedimet synojnë t’i japin fund luftës që ka nisur me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.
Dy vendet kanë mbajtur tashmë në Bjellorusi edhe dy runde bisedimesh, por pa ndonjë rezultat konkret.
Ukraina tha se Moska po përpiqet të manipulojë bashkësinë ndërkombëtare, duke i detyruar refugjatët nga zonat e konfliktit të evakuohen vetëm në Rusi ose Bjellorusi.
Pak orë më parë, ushtria ruse urdhëroi një armëpushim, për të lejuar evakuimin e civilëve nga kryeqyteti ukrainas, Kievi, dhe qytetet tjera: Mariupol, Kharkiv, dhe Sumi.
Një zëdhënës i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas.
“Këta janë qytetarë të Ukrainës, ata duhet të kenë të drejtë të evakuohen në territorin e Ukrainës”, tha zëdhënësi.
Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Ukraina i bën thirrje Rusisë që të pajtohet për një armëpushim, nga sot, për t’i lejuar ukrainasit të evakuohen drejt qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv.
Negotiations with the Russian Federation. Third round. Beginning at 16.00 Kyiv time. Delegation unchanged… pic.twitter.com/ycfT9LT0tc
— Михайло Подоляк (@Podolyak_M) March 7, 2022