Opozita e bashkuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
As në seancën e sotme parlamentare nuk është arritur që të votohet Rezoluta me të cilën kërkohet që të mos ketë rritje të çmimit të faturave të energjisë elektrike.
Kjo nuk u bë për shkak se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të votuar rezolutën në fjalë.
Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë, ndërsa partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë fare pjesë në Kuvendin e Kosovës.
Kjo pikë është shtyrë për një seancë tjetër.
E pas kësaj janë pikërisht deputetët e opozitës të cilët kanë lëshuar sallën e Parlamentit të Kosovës.
Opozita këtë herë janë të bashkuar në lidhje me refuzimin e VV-së për të përkrahur këtë rezolutë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se po shihet qartë se Qeveria, Lëvizja Vetëvendosje dhe ZRRE janë bashkuar në mënyrë që të dëmtojnë xhepin e qytetarëve duke rritur çmimin e faturave.
“Sot kemi pritur që një rezolutë e tillë të votohet, pasi tashmë ka edhe paralajmërime të ndryshme për protesta e organizime për të kundërshtuar sepse kjo e bënë të pamundshme jetën në Kosovë. Paga e një shërbyesi civil, një mjeku, një arsimtari e polici e një sektori privat është e papërballueshme për të mbuluar koston e përditshmërisë duke shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike. Kjo mazhorancë tregtoi që ka një koordinim të plotë në mes të ZRRE-së dhe Grupit Parlamentar të VV-së dhe Qeverisë”, tha Tahiri.
Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se këto improvizime mashtruese të Qeverisë së Kosovës duke tentuar të fshihen prapa veprimeve të ZRRE-së apo krizës globale kanë të bëjnë pikërisht me mosdijen e tyre.
“E më e rëndësishmja është e qytetarëve nga varfëria, ndëshkimet apo papërgjegjësia. Me mos veprimet e saj e ka sjellur gjendjen këtu. Veprimet tona janë të ligjshme për të parandaluar një të keqe që po i pret qytetarët, pa asnjë mundësi për të kërkuar mundësi të tjera për të përballuar këtë gjendje e cila është pasqyra e vërtetë e kësaj shumice parlamentare, që po vazhdon edhe tash në Kuvendin e Kosovës”, tha Zemaj, shkruan lajmi.net.
Qëndrim të ngjashëm lidhur me këtë pati edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri deklaroi se vendimi për lëshimin e sallës së Kuvendit të Kosovës kishte të bënte pikërisht me papërgjegjësinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Vendimi ynë për me e lëshu sallën plenare sot vjen si rrjedhojë e një votimi totalisht të papërgjegjshëm prej një votimi që në esencë është ikje prej besimit qytetar. Secili shqiptar i dytë e ka votuar LVV-në dhe mospjesëmarrja e VV-së në votim e dështoi. Për shkak se rezoluta nuk është obligative, është rekomanduese dhe e kish ndihmu situatën.”, tha ai.
Më tutje, ai është shprehur ZRRE-ja dhe qeveria kanë sinkronizim të plotë lidhur me rritjen e çmimit të rrymës dhe ka theksuar se kriza dhe rreziku i situatës do të vie atë ditë kur vie fatura e parë e energjisë me rritje./