Kane në dyshim për ndeshjen kundër Arsenalit
Ftohja mund të ia mohojë prezencën Harry Kanet në derbin e sontëm kundër Arsenalit, ndeshje kjo e vlefshme për çerekfinalet e EFL Cup.
Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino i cili nuk ka fituar ende asnjë trofe me “Spurs”, deklaroi se do të zgjedhë formacionin më të fortë për t’u ballafaquar me rivalët e qytetit, me të cilët u përballë edhe më herët gjatë këtij muaji, pikërisht në “Emirates”, ndërsa pësoi disfatë me rezultat 4-2.
Megjithatë trajneri argjentinas mund të jetë pa lojtarin më të rëndësishëm, Kanen për shkak të ftohjes së sulmuesit 25 vjeçar.
“Duhet ta vlerësojmë gjendjen e tij sepse ka pasur një ftohje dhe nuk u stërvit jashtë me skuadrën. Do të jetë një vendim i madh. Nëse mendojmë se mund t’i zhvillojë 90 minuta, ndoshta do të luajë, nëse jo me shumë mundësi do të jetë në bankën rezervë. Për ta mbrojtur Kanen, ai nuk u stërvit jashtë, gjersa punoi në palestër”, tha Pochettino.
Kane ka një rekord fantastik kundër Arsenalit, duke shënuar 8 gola në 8 derbit e fundit.