David Villa ribashkohet me Iniestan te Vissel Kobe
Sulmuesi spanjoll, David Villa i ka dhënë fund aventurës së tij në MLS te New York City, teksa ka konfirmuar se do t’i bashkohet ish bashkëlojtarit të tij, Andres Iniestas te Vissel Kobe, në Japoni.
36 vjeçarit i përfundoi kontrata te New York City, ndërsa nuk ka vonuar zyrtarizimi i adresës së re të Villas gjersa përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se do të transferohet në Super Ligën e Japonisë, kampionat në të cilin do ta gjejë maestron e mesfushës, Andres Iniestan, derisa dyshja ishin bashkëlojtarë edhe te Barcelona gjatë viteve 2010-2013, ashtu sikur te kombëtarja e Spanjës.
“Gjatë kohës si futbollist profesionist më është dashur të marrë vendime të rëndësishme. Për një sportist vendimet që merren jashtë fushës janë më të vështirat, dhe unë po kaloj sërish nëpër një moment të tillë. Unë gjithmonë e kam dëgjuar trupin tim, njerëzit përreth meje, dhe mbi të gjitha instiktin tim. Në këto momente dyshimi, shpresoj se ndonjë shenjë apo detaj do të më qartësoj gjendjen time. Një sfidë e re më pret, Azia”, shkruan Villa.
Gjatë periudhës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Villa shënoi 80 gola në 126 paraqitje, ndërsa mori edhe një ftesë nga kombëtarja e Spanjës në vitin 2017.
Në anën tjetër “Villa Maravilla” te Barcelona së bashku me Iniestan kanë fituar 2 herë La Ligan, 1 Champions League, 1 Copa del Rey, 1 Super Kupë të UEFA-s dhe 1 Kupë botë për klube.