Monchi i befasuar me formën e dobët të Real Madridit

Drejtori sportiv i Romës, Mario Monchi ka mbetur i befasuar me regresin e Real Madridit, pas startit pozitiv të sezonit ku e kishte mposhtur klubin italian 3-0 shtatorin e kaluar në “Santiago Bernabeu”.

Roma dhe Real Madridi takohen nesër në “Olimpico” derisa të dyja skuadrat numërojnë nga 9 pikë, gjersa përballja direkte pritet të vendos lidhur me liderin e grupit G.

Nga fitorja e “Los Blancos” përballë romakëve, është shkarkuar trajneri Julen Lopetegui, ndërsa pasues i tij është emëruar Santiago Solari.

Argjentinasi e nisi mirë aventurën në stolin e Real Madridit duke i fituar 4 ndeshjet e para, por humbja e fundjavës së kaluar 3-0 kundër Eibarit ka rikthyer problemet e vjetra në ambientin e kampionëve të Europës.

“Është diçka që e kemi folur në dhomat e zhveshjes. Real Madridi ka pasur probleme me lëndime por kjo rënie në formë nuk ka qenë e pritur. Ata u dukën shumë të kompletuar në ndeshjen kundër nesh para dy muajve”, deklaroi Monchi.

Megjithatë Monchi beson se Real Madridi mund të rikthehet fuqishëm dhe të triumfojë sërish në Champions League.

“Real Madridi është gjithmonë favorit në secilin kompeticion. Janë të mësuar t’i kalojnë me sukses situatat e vështira. Ata kanë kualitet të jashtëzakonshëm dhe iu duhet vetëm ta gjejnë rrugën e duhur”, tha drejtori sportiv i Romës.