Maratona e Joe Bidenit

► Më 1972, Joe Biden sapo kishte mbushur 30 vjet, u zgjodh anëtar i Senatit. Ishte më i riu në atë kohë. Dhe i gjashti për nga mosha e re në historinë e SHBA-ve.

► Në Senat Biden shërbeu 36 vjet. Nga viti 1789 vetëm 15 anëtarë kanë shërbyer më gjatë.

► Tetë vjet Biden ka qenë nënpresident i SHBA-ve.

► Të martën ai ka gjasa të zgjidhet president i SHBA-ve – si kandidati më i moshuar në historinë 232-vjeçare të SHBA-ve.

► Në fillim të viteve 70-të SHBA-te kishin 203 milionë banorë. 87 për qind e tyre ishin të bardhë, 11 zezakë. Në vitin 2020 në SHBA jetojnë 331 milionë njerëz, të bardhët përbëjnë 60 për qind të popullsisë, zezakët 12 për qind, hispanikët 19 për qind, amerikanët me prejardhje aziatike 6 për qind.

► Më 1970 tri firmat më të vlefshme amerikane quheshim IBM, AT&T dhe General Motors. Sot janë: Apple, Micro¬soft dhe Amazon.

► Joe Biden është kandidati që ka përjetuar ndryshimet dramatike në shoqërinë, ekonominë, popullsinë dhe kulturën amerikane në 50 vitet e fundit.

► Në gati 5 dekada të angazhimit politik Joe Biden ka pasur dy pasione: luftën për barazi mes të gjithë qytetarëve të SHBA dhe politikën e jashtme. 30 vjet ai ka qenë anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit.

► Sa i përket intervenimeve ushtarake të Washingtonit, Biden ka pasur qëndrime të ndryshme. Më 1990 kundërshtoi çlirimin e Kuvajtit të pushtuar nga Iraku. Më 2009 i bëri presion Barack Obamës të refuzojë kërkesën e Pentagonit për shtimin e trupave në Afganistan. Biden nuk pati sukses. Richard Holbrookut ai i bërtiti: “Nuk e dërgoj sërish djalin tim atje (në Afganistan) për të rrezikuar jetën për të drejtat e grave”. Biden ishte edhe kundër aksionit për eliminimin e Osama Bin Ladenit. Obamës i tha të mos kërcënohet me hakmarrje nëse Bashar al-Asadi i Sirisë përdorë armë kimike kundër kryengritësve. Pas një vizite në Ballkan më 1993 Biden akuzoi presidentin Bill Clinton se po injoronte masakrimin e myslimanëve të rrethuar në Bosnjë. Më 2002 Biden përkrahu një rezolutë që i jepte të drejtë presidentit George W. Bush për të ndërhyrë në Irak. Më 1999 Biden ishte përkrahës i ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës. Ndërkohë Biden është penduar që ka përkrahur intervenimin në Irak.

(Shumica e të dhënave nga një tekst i prof. dr. Stephan Bierling nga Universiteti i Regensburgut, i cili botohet në numrin e nesërm në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)

  • Teksti është postim i gazetarit të njohur kosovar, Enver Robelli