LDK do t’a votojë propozimin e Thaçit
Dy partnerët e koalicionit, Vetëvendosje dhe LDK, duket se prapë do të kenë mosmarrëveshje.
Këtë herë për propozimin e presidentit Hashim Thaçi që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, koronavirus.
Vetëvendosje është kundër kësaj mase që po e konsideron ekstreme, ndërsa nga LDK-ja ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me dekretin e presidentit.
GazetaBlic, ka kontaktuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për të marrë qëndrimin e LDK-së, lidhur me këtë çështje, por i njëjti tha se nuk ka përgjigje.
“Nuk kam përgjigje për këtë çështje”, tha Veliu.
Por burime të afërta bëjnë të ditur se ata do të votojnë pro propozimit të presidentit Thaçi i cili pritet që shumë shpejtë të mbërrijë në Kuvend për votim.