Cakaj uron Konjufcën përmes telefonit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka uruar përmes telefonit Glauk Konjufcën për marrjen e postit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Cakaj përme Facebook-ut ka shkruar se ka uruar Konjufcën përmes një bisede telefonike

“Nëpërmjet një bisede telefonike kam uruar Ministrin e ri të Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, për detyrën e tij të re dhe kemi shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dy vendeve, Kosovës e Shqipërisë”, ka shkruar Cakaj.

Ministri Cakaj ka shpërthyer në lavdata për ish-Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin, për shtimin e njohjeve për Kosovën.

“Në të njejtën kohë, dua të falënderoj nga zemra tashmë ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për sjelljen shumë bashkëpunuese e korrekte e kontributin e tij të vyer për shqiptarët kudo ndodhen. Z. Pacolli ka bërë një punë të palodhshme për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës dhe ruajtjes së njohjeve ekzistuese”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

Ai ka falënderuar ish-Ministrin Pacolli për sigurimin e qasjes së Shqipërisë në konsullatat e Kosovës nëpër botë.

“Në këtë kontekst, mes shumë të tjerash, Pacollit i mbetem tepër mirënjohës edhe për përgjigjen pozitive të kërkesës sonë për t’i siguruar Shqipërisë qasjen në hapësirat e konsullatave të Republikës së Kosovës në Malmo, Dyseldorf, Stuttgard, Hamburg e Toronto”, ka shkruar ai.

Kosova në qeverisjen dy vjeçare të Ramush Haradinajt, ku Ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli ka shënuar rezultatin më të dobët sa i përket njohjeve.