Alexis Sanchez do të mbajë fanellën me numrin 7 te Interi

Sulmuesi anësor i Interit, i huazuar për këtë sezon nga Manchester Unitedi, Alexis Sanchez, do ta mbajë fanellën me numër shtatë në “San Siro” gjatë sezonit të ri, 2019/20.

Fanella me numër shtatë për këtë sezon ishte planifikuar të mbahet nga Mauro Icardi, të cilit ia mori fanellën me numër nëntë Romelu Lukaku, pas transferimit nga Manchester Unitedi.

Megjithatë, dje Icardi e kompletoi transferimin e tij në Paris Saint-Germain – fillimisht në formë huazimi për sezonin e ardhshëm, por me opsionin për ta blerë atë verën e ardhshme për 70 milionë euro – dhe e la prapa fanellën me numër shtatë.

Tani, këtë fanellë me numër shtatë do ta mbajë Sanchezi, i cili gjithashtu është pjesë e Interit vetëm si formë huazimi për këtë sezon të ri.

“Numri magjik”, shkroi faqja zyrtare e Interit në rrjetin social Twitter, mbi foton e Sanchezit me fanellën e Interit.

Sulmuesi kilian e gjeti veten në një situatë të vështirë nga momenti që e kompletoi transferimin nga Arsenali në Manchester United gjatë afatit kalimtar të dimrit të vitit 2018, kur u shkëmbye me Henrikh Mkhitaryanin.

Përkundër që është një performues i dëshmuar në Premierligë, Sanchezi e pati të vështirë të lërë gjurmë në Manchester United dhe madje klubi anglez u kritikua për pagën dhe kontratën që ia ofroi kilianit.

Lëndimet e shumta dhe paaftësia për t’i plotësuar kërkesat e klubit të ri e lanë kilianin me vetëm pesë gola të regjistruar në 45 paraqitje.

Ky kontribut i vogël e shtyu Manchester Unitedin ta huazojë Sanchezin te gjiganti italian, Inter. Aty kiliani do ta testojë veten para se të merret një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij verën e ardhshme.

loading…