PSG synon transferimin e Navas

Keylor Navas është objektivi i PSG-së për të forcuar portën, pas largimit të Gianluigi Buffon.

Sipas “Marca”, bisedimet mes dy palëve tashmë kanë filluar dhe marrëveshja mes lojtarit dhe ekipit francez është në rrugën e finalizimit me sukses. Navas ka 20 ditë që është njohur me qëndrimin e Zidane, se nuk iu përshtatet planeve të Real Madridit për sezonin e ardhshëm, ndaj kampionët francezë kanë bërë konkret interesimin për të.

Drejtuesit e PSG vlerësojnë përvojën e portierit nga Kosta Rika, nivelin e tij sportiv dhe faktin se mund ta marrin nga klubi i bardhë për një shumë të volitshme financiare. Keylor Navas do të mbërrijë te PSG për të konkurruar me Areola, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e rotacionit me Buffon.

Francezi luajti gjithsej 31 ndeshje, duke pësuar 27 gola, ndërsa veterani italian e mbylli sezonin e tij në “Parce des Princes” me 25 ndeshje dhe 25 gola të pësuar.

Navas beson se te PSG do të kishte një numër të mirë ndeshjesh të garantuara dhe, përveç kësaj, klubi që drejtohet nga Al-Khelaifi është një nga të paktat në botë, që mund ta ruajë, ose përmirësojë shifrën prej 5 milionë euro neto në sezon, që ai merr si pagë në Madrid. Tani për tani, negociatat janë në hapat e parë midis Navas dhe PSG, por qasja është shumë e mirë midis palëve.

Pra, bisedimet pritet të japin fryte shumë shpejt. Mbetet të dihet se çfarë pozicioni do të marrë protagonisti tjetër në këtë histori, Real Madridi, i cili gjithmonë ka qenë shumë i kujdesshëm në çdo lëvizje me PSG në mes, veçanërisht referuar Neymar dhe Mbappé, objektivat madhorë të të bardhëve.