Skriniar konfirmon se e ardhmja e tij është te Interi
Mbrojtësi sllovak i Interit, Milan Skriniar ka dhënë një intervistë për transmetuesin e kampionatit italian DAZN, ku ka theksuar se do të rinovojë së shpejti kontratën me klubin zikaltër dhe do të vijojë të qëndrojë në Milano, edhe sezonin e ardhshëm.
“Negociatat kanë avancuar ndjeshëm dhe jemi shumë pranë firmës mbi kontratën e re me Interin, Kam dëgjuar të flitet për shumë klube, por unë jam i përqendruar te Interi dhe do të mbetem pjesë e zikaltërve. Tani të mendojmë për të arritur objektivin Champions, që është mjaft i rëndësishëm për ne”, tha Skriniar.
Qendërmbrojtësi po mbyll sezonin e tij të dytë me zikaltërit, ku ka dhuruar paraqitje konstante të një niveli të lartë, ndërsa së fundi po flitet se është një nga kandidatët kryesorë për të marrë shiritin e kapitenit të skuadrës, për sezonin e ri.
“Me apo pa shirit, unë gjithmonë do të bëj më të mirën në fushë. Natyrisht që shiriti është përgjegjësi më e madhe, por kjo nuk ndryshon asgjë në paraqitjen në fushën e lojës”, tha sllovaku.