djali i Jakup Krasniqit

Altin Krasniqi në gjashtëvjetorin e arrestimit të krerëve të UÇK-së: U dënuan për postet politike që bartën, nuk do t’i lëmë vetëm

Në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka kundërshtuar nga foltorja e Kuvendit aktgjykimin ndaj tyre, duke e cilësuar atë si padrejtësi me pasoja afatgjata për Kosovën.

Në fjalimin e tij, Krasniqi tha se dënimi i Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit lidhet, sipas tij, me funksionet politike që kishin mbajtur dhe jo me përgjegjësi individuale të dëshmuara.

“Më 16 shtator 2026, nuk u dënuan Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi për veprimet e tyre apo për përgjegjësitë e tyre individuale. U dënuan për shkak të posteve politike që ata kishin bartur”, deklaroi ai.

Krasniqi argumentoi se mënyra e trajtimit të Drejtorisë Politike të UÇK-së në këtë proces synon, sipas tij, të cenojë objektivat e luftës çlirimtare.

“Kjo ka vetëm një arsye: duan t’i përlyejnë dhe baltosin objektivat e UÇK-së, objektivat e kësaj drejtorie politike, të cilat ishin të njëjta ndër breza: liria dhe pavarësia e Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

Ai paralajmëroi se vendet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës mund ta përdorin aktgjykimin në fushatat e tyre diplomatike, duke e paraqitur si dënim të luftës së UÇK-së dhe jo vetëm të individëve.

“Imagjinoni ofensivën diplomatike që do të zhvillojnë vendet kundërshtare të pavarësisë sonë, të cilat nuk janë të pakta. E këto vende nuk do të flasin për dënime individuale, por do të flasin për dënimin dhe kriminalizimin e një lufte çlirimtare, siç ishte ajo e UÇK-së”, u shpreh Krasniqi.

Duke folur për dëshmitë e paraqitura gjatë procesit, ai tha se dëshmitarë nga kategori të ndryshme, përfshirë përfaqësues ndërkombëtarë dhe familjarë të viktimave, kanë dhënë dëshmi në mbështetje të pafajësisë së të akuzuarve.

“Ata sot janë pengje të një ‘drejtësie ndërkombëtare’, e cila, me plot meritë, vetëm padrejtësi është”, deklaroi ai.

Krasniqi rikujtoi edhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, rolin e UÇK-së dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë në momentet vendimtare.

“Kosova nuk e fitoi lirinë duke pritur që dikush t’ia dhuronte. Ajo e fitoi duke luftuar për të, duke sakrifikuar për të dhe duke pasur pranë vetes aleatë që, në momentin vendimtar, u rreshtuan në anën e drejtësisë”, theksoi ai.

Në përfundim, deputeti i PDK-së kërkoi që institucionet ta mbrojnë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe që partitë t’i lënë mënjanë dallimet politike kur bëhet fjalë për UÇK-në dhe vlerat e saj.

“Prandaj, ju ftoj të gjithëve që, kur është në pyetje UÇK-ja dhe vlerat e saj, t’i lëmë anash dallimet politike”, tha Krasniqi, duke e përmbyllur fjalimin me një mesazh për katër ish-krerët e UÇK-së:

“Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë, sepse edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm për asnjë moment!”