Bruksel
Raporti i Progresit për Serbinë, BE ia përmend që ndërmori veprime kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare
Bashkimi Evropian, përmes raportit të progresit, është deklaruar edhe për ‘’normalizimin e marrëdhënieve’’ mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se dialogu mes dy vendeve, ‘’ndonëse u ndikua ndjeshëm nga zhvillimet e brendshme politike’’, ka vazhduar gjatë periudhës së raportimit, përmes takimeve të rregullta në nivel të kryenegociatorëve dhe në nivel teknik, në formate dypalëshe dhe trepalëshe.
BE thekson se, edhe pse është arritur ‘’njëfarë përparimi’’, zbatimi i zotimeve të mbetura nga dialogu ka vazhduar të jetë i ‘’kufizuar, i ndërlikuar edhe nga veprimet e njëanshme dhe retorika që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve.’’
Në raport, thuhet edhe se, Përfaqësuesja e Lartë dhe njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, vazhdon të jetë e gatshme për të organizuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të Dialogut, sapo ‘’rrethanat ta mundësojnë një gjë të tillë.’’
‘’Pritet që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha obligimet përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksi i zbatimit të saj (Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023), si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, në përputhje me zotimet e tyre zyrtare të ripërsëritura në shtator dhe tetor të vitit 2024, pa vonesa dhe pa parakushte’’, thuhet mes tjerash në raport.
Për BE’në, kjo përfshin edhe aranzhimet për ‘’vetëmenaxhimin e komunitetit serb’’ në Kosovë, duke u theksuar Kosova pritet të nisë procesin që çon drejt themelimit të tyre, ndërsa Serbia pritet që paralelisht të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
‘’Asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e vlefshme dhe juridikisht obliguese për palët, ndërsa çfarëdo formaliteti, përfshirë ato që lidhen me miratimin ose “formalizimin” e saj, nuk duhet të pengojë zbatimin’’, shtohet nga raporti.
Nga BE’ja shtohet edhe se, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja shteteve, ndërsa të dyja ato rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.
‘‘Gjatë periudhës së raportimit, situata në veri të Kosovës mbeti e qetë, por e brishtë. Veprimet dhe retorika që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve u shtuan. Kosova ndërmori vazhdimisht veprime në kundërshtim me obligimet e saj në kuadër të Dialogut, ose veprime që minonin procesin e normalizimit. Këto përfshinin veprime policore dhe administrative që kishin në shënjestër strukturat dhe shërbimet e mbështetura nga Serbia, arrestimin e serbëve të Kosovës, si dhe refuzimin e dorëheqjeve të tërhequra të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës, duke penguar kështu riintegrimin e tyre. Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të thellë më 21 korrik dhe 28 gusht, përfshirë edhe për mungesën e përsëritur të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ që kjo pati në komunitetet lokale dhe qasjen e tyre në shërbimet themelore publike dhe sociale’’, shtohet në raport.
BE’ja, kritikon Serbinë, duke thënë se njëjta vazhdoi të ndërmarrë veprime në kundërshtim me obligimet e saj sipas Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe Interpol.
‘’Këto veprime, së bashku me retorikën e përsëritur nxitëse të zyrtarëve serbë, vazhdojnë të minojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës për të siguruar përgjegjësinë për sulmin e dhunshëm të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, të kryer nga sulmues të armatosur serbë të Kosovës kundër Policisë së Kosovës’’, thuhet në raport.