Inter e mposht Milanin në ‘San Siro’ (VIDEO)

Inter mposht 3-2 Milan-in dhe harron eliminimin nga Europa League. Zikaltrit kanë vendosur të zgjohen në momentin e duhur dhe të luajnë ndeshjen e tyre më të mirë të sezonit. Pa Nainggolan dhe pa Icardi, por me shumë zemër. Skuadra e Luciano Spalletti-t ka parakaluar kushërinjtë dhe është ngjitur në vendin e tretë të renditjes, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në Champions League.

Ka qenë Matias Vecino që ka zhbllokuar derbin pas vetëm tri minutash lojë pas një asisti të marrë nga Lautaro Martinez. Goli i uruguaianit, i realizuar pas 2 minutash dhe 31 sekondash, ka qenë më i shpejti në një derbi të Milanos në Serinë A që nga prilli i 2011-ës (Pato shënoi për Milan-in pas 43 sekondash).

Dominimi i zikaltërve ka dhënë rezultate edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur Stefan de Vrij ka dyfishuar avantazhin e ekipit të Spalletti-t me një goditje me kokë.

Kuqezinjtë kanë arritur të reagojnë në minutën e 57-të me Bakayoko, më i miri në fushë për “Djallin”, që ka imituar holandezin dhe ka ngushtuar diferencat me kokë.

Ky moment i ka dhënë zemër ekipit të Gattuso-s që është vënë në kërkim të golit të barazimit, por planet e kuqezinjve janë prishur në minutën e 67-të, kur Politano ka fituar një penallti pas një ndërhyrje të gabuar të Castillejo-s.

Te pika e bardhë është paraqitur Lautaro Martinez, i cili ka mposhtur Donnarumma-n me një gjuajtje të fortë me të djathtën. Gjithsesi, Milan ka reaguar menjëherë dhe ka realizuar golin e dytë me Musacchio-n pas një rrëmuje të krijuar në zonën e rreptësisë së zikaltërve.

Katër minuta para fundit të ndeshjes kuqezinjtë kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas një ndërhyrje të ashpër të Conti-t ndaj Martinez-it, por që është kthyer në një karton të verdhë me ndihmën e VAR-it. Një vendim ky që ka irrituar trajnerin Spalletti, i cili është përjashtuar nga arbitri Guida.

Për shkak të këtyre vonesave janë dhënë gjashtë minuta shtesë, por rezultati ka mbetur i pandryshuar, me Inter-in që ka marrë një fitore të madhe dhe të merituar.