Konfirmohet prezenca e Gattusos në derbin kundër Interit
Frika ka kaluar te Milani, pasi Genaro Gattuso do të jetë në stol në derbin e fundjavës me Interin.
Trajneri i kuqezinjve, i cili u dëbua nga fusha në ndeshjen kundër Chievo, nuk është skualifikuar nga drejtësia sportive italiane.
Ai u paralajmërua dhe u gjobit me 15.000 euro për atë që ndodhi në minutën e 35-të të pjesës së parë të ndeshjes së fundit në Serie A, teksa la zonën teknike dhe iu hakërrye një lojtari të ekipit kundërshtar.
Gattuso protestoi për një goditje dënimi të mohuar në favor të Milanit për ndërhyrje të gabuar ndaj Paquetas, me brazilianin që qëndronte i shtrirë në fushë, pas përplasjes me Doussie. Gjatë protestës së teknikut kuqezi polemizoi me të edhe Meggiorini.
Ndërkohë, vetëm një javë skualifikim për Gian Piero Gasperinin, plus gjobë 15 mijë euro. Trajneri i Atalantës është shpallur fajtor për goditjen e një zyrtari të Sampdorias në hyrjen e tunelit të dhomave të zhveshjes.