Reagim
“Fuente Dynamics” përgënjeshtron deklaratat e Armend Mujës
Kompania “Future Energy Trading and Exchange Dynamics” i ka quajtur tërësisht të pavërteta deklarimet e deputetit të LVV-së, Armend Mujës, se “kjo kompani është kamufluar përmes Fatbardha Bytyqit, ish-drejtoreshë e KOSTT të Shqipërisë dhe familjarëve të saj, mirëpo në fakt ajo del të jetë firmë e Shkelqim Devollit”.
Sipas Mujës, kjo kompani nga viti 2017 është e përfshirë në ‘Tepricat të KEK-ut’.
Në një paraqitje publike Muja thoshte se, kur Kosova ishte në krizë energjetike dhe importonte energji elektrike, kjo kompani ka shitur energji për Serbinë.
Të gjitha këto pretendime, kompania në fjalë i ka përgënjeshtruar duke thënë se kanë qëllim dëmtimin e reputacionit dhe emrit të mirë të tyre.
“Pasaktësia e këtyre deklaratave është lehtësisht e verifikueshme përmes burimeve të besueshme online në dispozicion siç janë Regjistrat e Bizneseve apo ato të pronarëve përfitues”, thuhet në reagim.
Tutje bëhet e ditur se “Fuente Dynamics” do të ndërmerr të gjitha masat ligjore kundër të gjithëve që cenojnë të drejtat legjitime të saj si investitor i huaj në Kosovë.
