Edhe një protestë të enjten
Kundërshtimet për Ligjin e Pagave po vazhdojnë edhe pas miratimit të tij në Kuvend.
Ndërkohë që Ligji për pagat është dërguar për dekretim te presidenti Hashim Thaçi, kundër këtij ligji nesër nga ora 11:00 para Qeverisë së Kosovës do të protestojnë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ata të KOSTT-it, të cilët po kërkojnë të hiqen nga Ligji i Pagave.
Nënkryetari i Sindikatës së Re të Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë për KosovaPress se deri te protesta kanë ardhur pasi që nuk u është dhënë asnjë sqarim se a janë në ligjin e pagave apo jo, ndonëse e dinë se janë të përfshirë.Ata një letër për sqarim kanë dërguar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe në atë të Administratës Publike.
Sindikalisti i KEK-ut ka bërë të ditur se nëse punëtorët e KEK-ut vazhdojnë të jenë pjesë e Ligjit të Pagave, Kosova do të rrezikojë të mbetet në terr.
Përkrahje për protesta punëtorët e KEK-ut kanë marr edhe nga bashkëkolegët e tyre që punojnë në KOSTT.
Kryetari i Sindikatës së KOSTT-it, Adem Gashi u shpreh se punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk duhet të përfshihen në Ligjin e Pagave pasi që ata nuk e dëmtojnë buxhetin e vendit.
Ai nën jë prononcim për KosovaPress ka shfaqur frikën se në rast nuk bëhen ndryshime në amendamente përkatëse të këtij ligji shumë inxhinierë do të braktisin punën.
Thirrje për mos dekretim të Ligjit të pagave nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kanë bërë që të dy sindikatat simotra.
Nesër protesta kanë paralajmëruar edhe punëtorët e Shërbimit Korrektues derisa sot Shoqata Sindikale e kontrollerëve të trafikut ajror, përmes grevës njëorëshe kanë shprehur pakënaqësitë ndaj Ligjit të pagave. Kujtojmë se të pakënaqur me Ligjin për paga janë shprehur disa sektorë publik.
Pakënaqësia e tyre ka rezultuar me protesta e greva, ku shquhen ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve.