Zeneli debuton për klubin e tij të ri

Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, debutoi sonte për klubin e tij të ri, Stade de Reims, ku për 17 minutat që i luajti, u vlerësua me notë 5.9.

Zeneli e filloi ndeshjen në stol, mirëpo në minutën e 73-të, trajneri David Guion vendosi ta inkuadrojë kosovarin në ndeshje.

Stade de Reims e fitoi këtë përballje me Marseille, me rezultat 2:1, falë golave të shënuar nga Dingome dhe Suk Hyun Jun. Kjo fitore bën që Reims ta ketë pozitën e shtatë në tabelën e Ligue 1, 22 pikë larg lider, PSG-së.

Zeneli u transferua nga klubi holandez, Heerenveen, në Reims gjatë këtij afati kalimtar të janarit. Marrëveshja për transferimin e 23-vjeçarit u kompletua më 26 janar për katër milionë euro.

Kosovari e siguroi këtë transferim pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse për Heerenveenin dhe Kosovën. Për klubin holandez, Zeneli i kishte shënuar katër gola dhe i kishte asistuar 11 të tjera në vetëm pjesën e parë të këtij sezoni.