90 % e prindërve në Obiliq janë kundër grevës në Arsim
Nëntëdhjetë përqind e prindërve në Komunën e Obiliqit, janë të mendimit që të fillojë mësimi shkollor.
Bile mendimin e njëjtë e ka edhe kreu i kësaj Komune Xhafer Gashi, i cili për Ballakni.info tha se greva duhet ndërpritet në momentin kur shkakton dëme tek fëmijët.
“Unë mendoj që procesi mësimor duhet të fillojë, dhe se mësimdhënësit mund ti shprehin pakënaqësitë e veta përmes ndonjë vendimi tjetër, dhe mos të vazhdohet edhe më tutje kështu” u shpreh Gashi.
Gashi shtoi se gjatë takimit që zyrtarët komunal kanë pasur me prindërit e Obiliqit, doli se ata janë të brengosur me vazhdimin e grevës në Arsim.
“Nëntëdhjetë përqind e prindërve janë për me fillu mësimin, pesë përqind prej tyre nuk ju intereson paga por fillimi i procesit mësimor, dhe pesë përqind ishin kundër fillimit të procesit” bëri të ditur Gashi.
I pari i Obiliqit tha se i përkrah kërkesat e mësimdhënësve, por që është koha të reflektojnë dhe të shohin ndonjë mënyrë tjetër të shprehjes së pakënaqësive./Ballkani.info/