AKSIDENTE

97 të vdekur në aksidente komunikacioni për nëntë muaj

Lindita Avdullahu, 30-vjeçare, është viktima e fundit e aksidenteve në trafik, e cila të hënën, më 22.09.2018, teksa kalonte rrugën në vendkalim e paraparë për këmbësorë në “Rrugën B”, në Prishtinë, së bashku me 23-vjeçare F.R, është goditur me makinë e cila po lëvizte me shpejtësi të madhe. Si pasojë e plagëve të marra nga goditja Avdullahu ka ndërruar jetë po atë ditë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa F.R. vazhdon të trajtohet në Klinikën Intensive dhe gjendja e saj është shumë e rëndë.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Naim Kuqi, ka treguar për “Zërin” se F.R. nga e dita e hënë i është keqësuar gjendja edhe më shumë. Sipas tij, ajo ka dëmtime në tru. “Pacientja F.R. është duke u trajtuar në Intensiv. Gjendja e saj është shumë e rëndë. Edhe më tutje është në ventilim mekanik në mbështetje respiratore. Ajo është në një gjendje shumë të rëndë”, ka thënë ai. Sipas tij, stafi mjekësor i kësaj klinike është duke bërë trajtimin e nevojshëm të pacientes. “Jemi duke i bërë të gjitha, çfarë mundemi të mbërrijmë nuk e di”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit L.M, i cili dyshohet të jetë shkaktar i këtij aksidenti.