Arben Vishaj

“S’ka rikthim të COVID-it”, Vishaj: Situata epidemiologjike është e qetë

Situata epidemiologjike me COVID-19 mbetet e qetë, pavarësisht se u krijua një shqetësim ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të virusit që më 2020 mbylli të gjithë botën.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj deklaroi për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye për panik.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grupmoshave, rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grupmoshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

Mirëpo, Vishaj u shpreh se numri i te infektuarve është në suazat e normales ndërsa për personin që ka humbur jetën u shpreh se COVID-i nuk ka qenë shkaktari kryesor i vdekjes.

“Kemi numër të rëndomtë të infektuarve, kemi një pacient i cili është infektuar me COVID-19 dhe ai ka një sëmundje tjetër kronike dhe ka rënë në kontakt me virusin e COVID-19, pra është një situatë e qetë epidemiologjike dhe asgjë diçka risi në këtë drejtim nuk ka… Ne kemi pasur një pacient i cili ka përfunduar me fatalitet por paraprakisht ka pasur sëmundje malinje, stadi terminal i sëmundjes, dhe nuk mund të themi që shkaktari drejtpërdrejt ka qenë infeksioni me COVID-19. Por shakatari kryesor i përfundimit me vdekje i pacientit ka qenë sëmundja, pikërisht sëmundja stadi terminal i sëmundjes malinje dhe njëkohësisht ka rënë në kontakt me virusin corona” tha Vishaj.

Drejtori i Infektivës tha se njerëzit duhet të kuptojnë se COVID do të qëndrojë gjatë por 67 rastet e raportuar nuk është numër i lartë.

“Tash popullata duhet të dijë se do të jetë masë me siguri për një kohë shumë të gjatë, askush nuk mund të thotë se sa do të qëndrojë masë me siguri për një kohë shumë të gjatë bëhet fjalë për shumë vitet e ardhshme por ajo që është duke u vërejtur sepse tashmë nuk kemi forma sie kemi pasur më përpara dhe një testim prej 67 personave të prekur pozitiv që janë grumbulluar për një javë nuk do të thotë që është një numër shumë i madh i të infektuarve.

Në shkallë të një popullate që gjatë periudhës së ardhjes së mërgimtareve mbase ka qenë një popullatë 2 milionëshe kemi pasur dy tre raste dhe nuk bëhet fjalë asnjëherë për ndonjë rikthim të COVID-it ose ndonjë situatë paniku” tha Vishaj.

I pyetur për simptomat nëse ka ndonjë ndryshim nga ato që tashmë dihen, Vishaj tha se ato mbesin të njëjtame temperaturë, ethe, lodhje, plogështi, rrjedhje hundësh e dhimbje barku.

Tutje, Vishaj bëri thirrje për qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar të vaksinohen, ndërsa për qytetarët të cilët kanë simptoma të këtij infeksioni të paraqiten tek mjeku familjar në mundësinë e parë.

“Ne çdo herë ka tashmë tri vite që bëjmë apel njerëzve të pavaksinuar që të vaksinohen, unë nuk mund të imagjinoj një qytetar të vendit tonë i cili e ka mundësinë të vaksinohet dhe të rrezikojë që të mos vaksinohet, asnjë horizont që të mos vaksinohet nuk ekziston por njerëzit e bëjnë varësisht çfarë e kanë… Në qoftë se pacientet diagnostikohen sigurisht duhet të trajtohen te mjeku familjar në mundësitë e para që kanë dhe në qoftë se manifestohet ndonjë formë më të avancuar siç është prekja e sistemit respirator ose sistemeve të tjera për pasojë të drejtpërdrejt të COVID-it të vijë në Klinikën Infektive për trajtim” u shpreh Vishaj.

Vishaj apeloi që të gjithë ata persona me simptoma të COVID-it nuk duhet të qëndrojnë në hapësira të mbyllura ku potencialisht mund të rrezikojnë edhe të tjerët.

“Higjiena e duarve në çdo lloj situate duet të përfillet sigurisht, tashmë nuk jemi në situatën e distancës edhe atyre shtrëngimeve epidemiologjike që kemi pasur por popullata duhet të ketë një vëmendje të shtuar sepse qytete tona tashmë e kanë marrë formën e qytete moderne, kemi grumbullim të madh të popullatës në një hapësirë dhe gjithmonë mundësia e shpërthimeve të tilla ekziston, por për momentin e kemi një situatë shumë të qetë dhe asgjë për të krijuar ndonjë panik apo situatë të rikthimit të COVID-19.

Kur të jeni jo vetëm me COVID por edhe me grip tjetër e cila është sëmundje infektive nuk është e preferueshme dhe është si e tillë jo e pranueshme që personat e tillë të shkojnë në hapësira publike ku ka turma të mëdha atë njerëzve posaçërisht ku janë të mbyllura sepse mundësia e përhapjes infeksionit ekziston”, tha Vishaj për KosovaPress.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), prej 67 rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë.