95 përqind e të infektuarve në Shqipëri janë të pavaksinuar

95 përqind e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë të pavaksinuar ndaj këtij virusi.

Të dhënat janë bërë publike gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ku theksi u vendos tek procesi i vaksinimit si forma e vetme për t’i shpëtuar rasteve të rënda shëndetësore dhe fataliteteve nga COVID-19.

“95 përqind e atyre të infektuar janë të pavaksinuar”.

Shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino thotë se të infektuarit e pavaksinuar janë 32 herë më shumë në popullatë. Dy javët e fundit incidenca dy javore është rritur me pesë herë, duke kapur shifrën e 202 raste të reja për 100 mijë banorë.

“Rastet e vaksinuara që janë shfaqur në popullatë 12 herë më pak s e ratste e pavaksinuar. Rastet e vaksinuar me dy doza janë 32 herë më pak se ata të pavaksinuar”.

Në spitalin infektiv Covid 1, i cili po punon me kapacitet të plotë, afro 60 përqind e rasteve janë forma të rënda dhe kritike për jetën.

“Rreth 40 përqind janë forma të mesme serioze ose me ndonjë ndërlikim. Rreth 30 % janë forma të rënda, pjesa tjetër ndahet në kritike dhe kërcënuese për jetën”.

Të pyetur nëse vaksinimi do të kthehet me detyrim, shefja e ISHP, Albana Fico thotë se do të aplikohen mënyra për ta nxitur marrjen e dozave.

“Vaksinimi nuk është i detyruar, e kemi ndjekur dhe do të vijojmë ta ndjekim. Referencat tuaja i kemi parë edhe ne, çështja qëndron që ka disa element siç janë mjekët, arsimtarët, që përpos detyrën qytetare kanë detyrë të mbrojnë komunitetet. Nuk detyrojmë, por ka mënyra alternative që një person të punojë, por të jetë brenda parametrave të punës. Nuk detyron njeri, por mund të kërkosh statusin joinfektiv të vetin”.

Referuar shifrave të infektimve dhe situatës në spital, deri tani vendimi për shkollat është se ato do të hapen në 27 Shtator.

“Për nivelin e infeksioneve që është sot shkollat do të hapen atëherë kur është parashikuar”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshoi masat antiCOVID në Shqipëri, duke lënë në fuqi përdorimin e maskës në ambientë të mbyllura, muzika lejohet deri në orën 23:00, ndërsa ora policore vijon të mbetet 24:00-06:00 të mëngjesit.