Ramush Haradinaj

Pyetjet që po e pengojnë pushtetin: Pse deputetët e VV-së po shqetësohen nga interesimi për Mujecin e kapur me drogë?

Dje dhe sot përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të mediave kanë shtruar pyetje të ndryshme në lidhjen me asamblistin e VV-së, Besnik Mujeci, i cili është arrestuar në Tiranë për drogë.

Ky interesim i opozitës dhe mediave për këtë skandal nuk i ka pëlqyer partisë në pushtet

Të gjitha ata që kanë bërë pyetje në rrjete sociale për çështjen në fjalë, kanë marrë përgjigje të ashpra nga disa deputetët të VV-së.

Pas përjashtimit të Mujecit nga VV-ja, gazetari Adriatik Kelmendi është habitur.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shtruar disa pyetje, duke u interesuar se pse partia nuk e priti versionin e organeve të rendit për ngjarjen.

Disa pyetje serioze: E çka nëse Lëvizja “Vetëvendosje!” i ka hyrë në hak asambleistit Mujeci duke e përjashtuar vetëm disa orë pasi që ai u arrestua në Shqipëri për trafik narkotikësh? A nuk duhet të presupozohet se mbase Mujeci është arrestuar gabimisht dhe të pritej të sqarohej? Pasi që nuk u pritën sqarimet, a ka gjasa që dikush paska pasur njohuri për aktivitetin e paligjshëm të Mujecit qysh më herët dhe për këtë arsye nuk kanë pritur shfajësimin eventual të tij?”, ka shkruar Kelmendi.

Këto pyetje i kanë penguar deputetit të VV-së, Armend Muja.

Ai i është përgjigjur gazetarit më disa kundërpyetje.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muja ka shkruar se pse Kelmendi nuk i ka shtruar këto kur ishte në pyetje regjistrimi Klan Kosovës.

Adriatiku paska reaguar me shumë pyetje e dilema për ish-asamblistin e VV-së. Mirë që shtron pyetje, por nuk kemi parë të shtronte pyetje të tilla as për së afërmi nga ai kur ishte pyetja e regjistrimit të Klan Kosovës ku Kosova e qytetet e saja bëheshin të Serbisë e ku ende nuk dihet pronari i vërtetë ndonëse ky vet ka qenë drejtor aty. Më poshtë na tregon që Rubikonin e tij e ka në pushim se do t’i shtronte këto pyetje aty. Mirë, po pse para pushimit kur e kishte aktiv Rubikonin e tij nuk e ftoi dot pronarin e vërtetë, nëse dihet, të KlanKosovës?”, ka shkruar Muja.

Sot pyetje për këtë çështje ka bërë edhe lideri i AAK-se, Ramush Haradinaj.

Ai ka kritikuar heshtjen e kryeministrit Albin Kurti për rastin e arrestimit për drogë të asamblistit të VV-së, Besnik Mujeci.

Albin, a je me prokurorin a me Mujecin? Bëhu i gjallë!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Kjo pyetje e Haradinajt ka nervozuar deputetin tjetër të VV-së, Dimal Basha.

Ai e ka kritikuar liderin e AAK-së për shumë çështje.

Ramush, fakti që e kemi shkarku atë djalin kallzon se me kë jemi! Ne jemi gjithë për drejtësi, por prokuroria nuk po është, po zgjedh kënd me ndjek e kënd jo! Për shembull, t’ish kanë prokuroria me drejtësinë, ti sot ishe t’u dhanë përgjegjësi për rritjen e çmimit të shpronësimit të autostradës Kijevë – Zahaç, prej 31 në 42 milionë euro. Me ty në krye keni marrë vendim me pagu 11 milionë euro më shumë, me dyfishim të çmimeve të vetëm DISA parcelave, dhe ky vendim u bë publik me 31 dhjetor, natën e vitit të ri, që me kalu nën radar! Nuk u kanë keq me vet Fatmirin me çka po mirret, se asaj udhe je edhe ti!”, ka shkruar Basha.

Rrustemi iu përgjigjet të gjithëve

Për aferën e drogës pyetje ka pasur edhe Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ai është interesuar të dijë nëse Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për transportimin e drogës për në Shqipëri.

Qe edhe disa pyetje, meqë pushteti po i merrke sot seriozisht pyetjet publike. Qysh sasi kaq të mëdha të drogës kanë shkuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë dhe nuk u kanë rënë asnjëherë në “radar” policisë dhe inteligjencës sonë? Qysh një diler kaq i madh i drogës operonte nën hundët e kësaj Qeverie – nën hundët e Kurtit, Sveçlës dhe Haxhiut, duke u ulur nëpër tavolina më ta dhe asnjëri nuk e paska pasur as dyshimin më të vogël për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale? Të njëjtit i shpallnin kriminelë oponentët politikë, në të njëjtën kohë kur nën hundët e tyre rriteshin kriminelët e vërtetë. Sa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kolegë të këtij Mujecit, në çdo sezon të veres bëjnë biznes plazheve të Shqipërisë dhe a janë të përfshirë edhe ata në aktivitete kriminale?”, ka shkruar Behramaj./nacionale