Dhuna seksuale

91 femra u dhunuan gjatë 2023-ës në Kosovë

Dhuna seksuale po vazhdon të jetë mjaft prezente në shoqërinë tonë. Ndonëse nuk diskutohet shumë rreth kësaj çështjeje, shifrat e rasteve të raportuara e të ekzaminuara si dhunim janë të frikshme.

Vetëm gjatë periudhës janar-tetor të viti 2023 janë raportuar 91 raste të dhunimit seksual. Shifër kjo e cila është rritur nga viti 2022, ku ishin raportuar 88 raste të dhunimit seksual, këto të dhëna janë bërë të ditura nga Policia e Kosovës për Ballkani.info.

Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese.

Kodi Penal i Kosovës: “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”

Ndonëse në shoqëri dhunën seksuale shpesh e justifikojnë, e madje e sulmojnë edhe viktimën me komente të tilla si “vet e ka lypë” e tjera të ngjashme, më Kodin Penal të Kosovës dhuna seksuale është e cilësuar si vepër penale dhe tregon se kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e përsonit dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet. E nga rrethanat se si kryhet kjo dukuri e veçanërisht gjendjes dhe moshes së viktimës së kësaj vepre penale, ligji mund ta dënoj kryesin edhe me 20 vite burgim apo edhe burgim të përjetshëm. /Ballkani.info/