Krimet e luftës

89 të pandehur do ndiqen penalisht për krime lufte në Kosovë

Paraqitjet i kanë të rralla prandaj interesimi i mediave është i lartë.

Vëmendja e të gjithëve është tek shpalosja e detajeve për aktakuzat që Prokuroria Speciale i ngriti deri më tani për krime lufte në Kosovë.

Por para se ato të bëhen publike, kryeprokurori i këtij institucioni që s’arriti të bëhet edhe i shtetit, premton se drejtësia do jetë e barabartë për çdo etni.

“Nuk vjen në shprehje, në asnjë mënyrë, asnjë përkatësi nacionale, qoftë serb, shqiptar, boshnjak, malazez. Drejtësinë do ta bëjmë të barabartë për të gjithë. Ne kemi edhe raste që i kemi prioritet, në mesin e tyre ka qenë Burgu i Dubravës, Meja. Por, kemi prioritet edhe vrasjen e një gazetari serb, për të cilin jemi duke hetuar në mënyrë intensive”

Gjatë konferencës të së premtes, u bë e ditur se do të ndiqen penalisht 89 të pandehur në 33 aktakuzat e ngritura deri më tani.

Nga këto, më prioritet do të ketë ajo për masakrën e Mejës, e cila është e ndarë në tri grupe: planifikuesit, zbatuesit dhe ekzekutorët direkt.

Në grupin e parë janë të akuzuar pesë persona, në të dytin 11 derisa grupin e tretë e përbëjnë 37 të dyshuar.

“Hetimi vërtetoi se në periudhën 27-29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët dhe mirë i organizuar i ushtrisë jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjellë edhe me grupin paramilitar, aty janë vrarë 370 civilë, që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes. Viktimat ishin nga fshatrat e trevës Reka e Keqe”

Ndër të tjera, prokuroja speciale Drita Hajdari tha se operacioni përfshinte dëbimin e civilëve, dhe djegien e shtëpive të tyre.

“Trupat e të vrarëve ishin varrosur në Brekoc të Gjakovës, që më vonë u zhvarrosën dhe u zhvendosën në varret e përbashkëta në Batajnicë të Serbisë, me qëllim të fshehjes së krimeve”

Ndërkohë një ditë më parë nisi shqyrtimi gjyqësor edhe për rastin e Masakrës së Dubravës, për të cilin janë 88 të pandehur.

Ndonëse është lëndë e trashëguar nga misioni i EULEX-it, kjo s’do ti ndalë prokurorët të vazhdojnë hetimet edhe për personat e tjerë.

“Jemi duke mbledhur provat dhe në momentin që do të jemi gati në përputhje me kushtet ligjore të përcaktuara me Kodin e procedurës penale do të procedojmë ndaj të pandehurve të tjerë”

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.