Fushata vetëdijësuese “Ta Pastrojmë Kosovën” ka bërë monitorimin e zbatimi të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspekyorët komunal mjedisor. Gjatë këtij monitorimi ka rezultuar se gjatë muajit nëntor në të gjitha komunat e Kosovës janë shqiptuar 89 gjoba mandatore.
Bazuar në rezultatet e monitorimin, rezulton se Prishtina i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 35, pasuar nga Vushtrria ku janë shqiotuar nëntë gjoba.
Me nga shtatë gjoba të shqiptuara lista vazhdon me Komunën e Gjakovës dhe atë të Malishevës, pasuar nga Komuna e Prizrenit me pesë gjoba të shqiptuara për ndotësit, derisa në Komunën e Pejës, të Istogut dhe atë të Obiliqit janë shqiptuara nga katër gjoba për ndotje të mjedisit. Në Komunën e Vitisë janë shqiptuar vetëm dy gjoba gjatë muajit nëntor, ndërsa tri të tilla kanë qenë në Komunën e Kamenicës.
“Por, asnjë gjobë e vetme nuk është shqiptuar në komunat, si: Rahoveci, Fushë Kosova, Skenderaj, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Klina, Deçani, Juniku, Shtimja, Lipjani, Drenasi dhe Dragashi. Përderisa, në Komunën e Gjilanit dhe atë të Suharekës është shqiptuar vetëm nga një gjobë për ndotësit”, thuhet në një komunikatë të “Let’s do it Kosova”.
Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.
Ndërkaq gjatë këtij monitorimi, rezulton se sfidë për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore vazhdon të mbetet mospajisja e Policisë së Kosovës me tiketa të gjobave mandatore si dhe mungesa e inspektorëve mjedisor në disa prej komunave.







