Detaji në veshjen e Bidenit për takimin me Zelenskyn merr vëmendje

Presidenti i Shteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka mirëpritur dje në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn.

Për takimin me Zelenskyn, Biden kishte zgjedhur të vishte një kravatë verdhë e kaltër, që janë edhe ngjyrat e flamurit të Ukrainës, raporton Express.

Ky është udhëtimi i parë i presidentit Zelenski jashtë vendit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.

Vizita e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi amerikan pritet të votojë për buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe përgatitjeve të Uashingtonit për t’i dhënë Kievit sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.

Ndihma e re amerikane, që përfshin edhe sistemin e raketave ‘Patriot’, sinjalizon një zgjerim nga Shtetet e Bashkuara të llojit të armatimeve të avancuara, që do të dërgojnë në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve në rritje me raketa nga Rusia në javët e fundit.

Vendimi për dërgimin e sistemit të raketave ‘Patriot’ vjen pavarësisht kërcënimeve nga Ministria e Jashtme e Rusisë se furnizimi i Ukrainës me këtë sistem të avancuar raketash do të konsiderohej një hap provokues.