Elon Musk u ofron gazetarëve që ai i largoi nga Twitter mundësinë për t’u kthyer me disa kushte të caktuara

Pronari i ri i Twitter, Elon Musk, u ka ofruar mundësinë e rikthimit në platformë disa prej gazetarëve të cilët ai i ndaloi në Twitter, vetëm nëse ata i fshijnë statuset për të cilat ai në mënyrë të rreme pretendonte se ndanin vendndodhjen e tij “të saktë në kohë reale”.

Ky vendim i Musk erdhi pasi ai postoi një sondazh në profilin e tij personal i cili përfundoi të premten në mbrëmje me 59 për qind të pjesëmarrësve që votuan në favor të rikthimit të menjëhershëm të llogarive.

Musk kishte ndaluar të enjten Donie O’Sullivan të CNN, Ryan Mac të The New York Times dhe Drew Harwell të The Washington Post. Gazetari progresiv i pavarur Aaron Rupar, ish-prezantuesi i MSNBC Keith Olbermann dhe kolumnistja e Insider Linette Lopez u ndaluan gjithashtu, raporton CNN, transmeton Telegrafi.

“Njerëzit e dhanë verdiktin”, shkroi Musk të premten mbrëma pas sondazhit të tij, duke u zotuar të rivendoste llogaritë që ai kishte akuzuar në mënyrë të rreme për ndarjen e vendndodhjes së tij “të saktë në kohë reale”.

Por ndërsa llogaritë u bënë të shikueshme publikisht të shtunën, gazetarëve në fakt iu ndalua të postonin derisa të fshinin postimit për të cilat Musk kishte pretenduar se shkelnin rregullat e Twitter.

Në të kaluarën, Twitter kishte kërkuar heqjen e statuseve të cilat shkelnin rregullat në mënyrë që përdoruesit të rifitonin qasjen në llogaritë e tyre, por gazetarët në këtë rast kundërshtojnë fuqishëm se postimet e tyre shkelnin rregullat e Twitter.

O’Sullivan dhe Harwell të shtunën në mëngjes i thanë CNN se nuk kishin rënë dakord të fshinin postimet në Twitter dhe në vend të kësaj zgjodhën një opsion për të apeluar vendimin.

“Është gazetari,” shkroi Harwell në apelin e tij, një kopje e së cilës iu dha CNN. Harwell shtoi se statusi i tij nuk përfshinte një “link me informacionin privat të askujt”.