LAJMI I FUNDIT

85 mijë euro false nga 2 euro | Këta janë gjashtë të arrestuarit që sot dolën para Gjykatës (emrat)

Benjamin Ajrullovski, Sherif Ajrullovksi, Ali Ajrullovski nga Maqedonia e Veriut dhe Setki Ramuka, Muhamet Krasniqi dhe Hajderin Dernjani nga Kosova, janë gjashtë persona e arrestuar nga Policia e Kosovës, si grup që dyshoheshin se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, monedha prej 2 euro.

Të njëjti kanë dalë sot para gjykatës, seanca ndaj tyre është duke vazhduar, shkruan Insajderi.

Theksojmë se ky aksion është kryer në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Prokuroria Speciale njoftoi se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara.

Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë.