847 fermerë të Gjilanit subvencionohen për mbjelljet vjeshtore

Me mbi 140 mijë kilogramë farë gruri janë subvencionuar 847 fermerë nga Gjilani.

Ky subvencion është bërë më qëllim të stimulimit për punimin e tokës bujqësore.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, tha se ky është viti i pestë që po vazhdohet mbështetja e fermerëve në fusha dhe forma të ndryshme, shkruan kallxo.com.

“Janë 847 fermerë të Gjilanit që përfitojnë nga ky subvencionim me farë gruri. Inkurajojmë fermerët që të vazhdojnë me punë dhe me përkushtim në sektorin e bujqësisë dhe për çdo hall që kanë të drejtohen te drejtori i bujqësisë, i cili i dinë më së miri hallet e tyre dhe prioritetet që ata kanë. Lutemi së bashku që asnjë pëllëmbë toke të mos mbetet pa punuar. Komuna e Gjilanit do të vazhdoj edhe viteve të tjera këtë praktike dhe gjithashtu jemi duke shikuar mundësinë më të mirë për mbështetje të bujqve nga buxheti i Komunës, nga donatorët etj”, ka thënë nënkryetari, Arbër Ismajli.

Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se interesimi nga fermerët ka qenë i madh.

“Këtë vit kemi një interesim të jashtëzakonshëm të aplikuesve gjilanas. Drejtoria e Bujqësisë ka trajtuar aplikacionet e fermerëve, të cilët nuk i arrijnë kriteret e Ministrisë së Bujqësisë. Sot janë përfitues 847 fermerë me gjithsej 140 mijë kilogram farë gruri. Prej tyre 80 mijë kilogram janë me varietete të gjata dhe 60 mijë kilogram me varietete të shkurtra, kjo ndarje është bërë nga komisioni, varësisht nga kushtet dhe klasa e tokës që kanë fermerët”, tha Ramadani.

Gjithashtu ka bërë të ditur edhe informatën tjetër që USAID-program AGRO do të bëjë shpalosjen e projekti investiv për vitin 2019 në fushën e pemëtarisë.