Ambasadori amerikan e njofton Konjufcën me Zëvendës Shefen e re të Misionit: Takim tejet miqësor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në zyrën e tij ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe Zëvendës Shefen e re të Misionit, Alyson Grunder, e cila ka marrë detyrën nga dje.

Konjufca, takimin me dy përfaqësuesit amerikanë e ka konsideruar ‘tejet miqësor’.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në një takim tejet miqësor Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Jeffrey M. Hovenier dhe znj.Alyson Grunder, Zëvendës Shefe e Misionit.  Me këtë rast, znj.Grunder i dëshirova mirëseardhje në vendin tonë dhe i urova suksese në detyrën e re”, ka njoftuar kryetari i Kuvendit.

Po ashtu, Ambasadorin Jeff Hovenier dhe Zëvendës Shefen e Misionit, Alyson Grunder, Konjufca i ka falënderuar për përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës. 

“Miqësia e dëshmuar dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten postulate të palëkundura, siç mbetet i palëkundur përkushtimi i Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkërendimin e objektivave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai në fund.