800 mijë euro për Qendrën Inovative në Universitetin e Prishtinës

Ministria e Inovacionit dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë memorandumin për krijimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  në UP.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

Ministri Beqaj tha se kjo Qendër do të vendoset në hapësirat e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, do të kushtojë rreth 800 mijë euro dhe do t’ju shërbejë profesorëve, studentëve dhe të rinjve të cilët dëshirojnë të merren me aftësim profesional.

‘’Që nga themelimi i Ministrisë synim yni ka qenë që Universiteti të bëhet me një qendër për inovacion dhe ndërmarrësi, e cila do t’ju mundësonte studentëve dhe profesorëve të punojnë bashkë me ekonominë, ku profesorët dhe studentët do të kenë mundësi t’i trajtojnë problemet e sektorit privat”, tha Ministri Beqaj.

Në anën tjetër, rektori Dema foli për rëndësinë e kësaj Qendreje për Universitetin e Prishtinës.

‘’Qendra do të jetë një urë lidhëse e cila do të ofrojë trajnime të ndryshme, lidhjen e njohurive të të rinjve me biznesin. Do të shërbejë që të krijojmë studentë inovativ dhe kreativ. Jemi të interesuar që ta bëjmë atë transferimin e studentit që të mos pret punë nga qeveria por nga vetja”, përfundoj rektori Dema.