80 përqind e qytetarëve të Kosovës e pranojnë dhunën ndaj grave

Mbi 80 përqind e qytetarëve të Kosovës e pranojnë dhunën ndaj gruas, ndërsa zinxhir institucional karshi kësaj dukurie nuk vepron në mënyrë të duhur. Përveç kësaj në Kosovë gratë nuk gëzojnë qasje të barabartë në drejtësi.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga organizata gjermane GIZ dhe fondacioni “Jahjaga” me temën “Drejt garantimit të qasjes së barabartë të grave në drejtësi”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se boshllëqet ligjore brenda sistemit të drejtësisë në Kosovës kanë bërë që gratë në Kosovë krahasuar me burrat nuk gëzojnë qasje të barabartë në drejtësi.

Sipas tij pandëshkueshmëria ndaj dhunës në familje ka çuar drejt raportimit të vogël të rasteve të dhunës në familje.

Përfaqësuesi i shtetit gjerman në Kosovë u shpreh se me qëllim të qasjes së barabartë edhe të gruas në drejtësi duhet të punohet më shumë që grave t’u ofrohet njohuri për të drejtën e tyre ligjore.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se është fatkeqësi që në Kosovë ka ende gra që durojnë padrejtësi pasi s’dinë çfarë të bëjnë dhe nuk mund të marrin masa për të siguruar drejtësi.

Si drejtuese e Fondacionit Jahjaga ajo ka vlerësuar se një shtet funksional është kur sistemi i drejtësisë ofron mbrojtjen e grave nga dhuna familjare, por edhe abuzimi seksual.

Jahjaga tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ofron shërbime falas dhe kjo duhet të jetë e ditur për gratë dhe vajzat në Kosovës, derisa sipas saj duhet të ketë një bashkëpunim më të madh të të gjitha institucioneve me qëllim që i gjithë zinxhiri i qasjes në drejtësi të funksionojë si duhet.

Se raportimi i dhunës ndaj gruas në Kosovë është mjaft i ulët e tha edhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli sipas të cilës pranueshmëria e dhunës ndaj gruas në Kosovës është mbi 80 përqind.

Sipas saj edhe zinxhiri ndërinstitucional që mund të parandalojë dhunën ndaj gruas nuk funksionon si duhet.

Konferenca me temën “Drejt garantimit të qasjes së barabartë të grave në drejtësi”, u organizua në kuadër të 20 vjetorit të partneriteti në mes Kosovës dhe organizatës gjermane GIZ.

loading…