80 për qind e rasteve të fundit me COVID në Kosovë i takojnë variantit Delta

Varianti Delta, i cili e ka pushtuar Evropën, ditëve të fundit po del të jetë i pranishëm në 80 për qind të rasteve të koronavirusit edhe në Kosovë.

Gazeta Express merr vesh nga burime që 80 për qind e rasteve në Kosovë në ditët e fundit janë me variantin Delta.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pritet të dalë në konferencë për media, ndonëse nuk është bërë e ditur arsyeja.

Kujtojmë se rasti i parë me variantin Delta në Kosovë është paraqitur në muajin maj.

Varianti Delta i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në Indi, SHBA, Britani, e shumë shtete tjera. Lehtësimi i masave mbrojtëse në këtë kohë është vlerësuar si rrezik për Evropën. Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant si variant shqetësues, i cili mund të përhapet më lehtë.

Infektologu Salih Ahmeti ka thënë se edhe Kosova duhet ta ketë si shqetësim mundësinë e rritjes së numrit të rasteve me variantin Delta të COVID-19.

Ai ka deklaruar se ditëve të fundit është rritur edhe numri i personave të hospitalizuar me koronavirus.

Ahmeti ka treguar se kanë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së pacientë që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 si dhe të dytën.

“Aktualisht kemi dy raste të shtrirë që kanë marrë vaksinat dhe janë prekur sërish me COVID-19. Qytetarët duhet ta kenë parasysh se imuniteti pas-vaksinal nuk arrihet menjëherë pas marrjes së vaksinës. Një imunitet i plotë vaksinal arrihet së paku dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës”.

Ai ka theksuar se Kosova ka ngecje sa i përket vaksinimit në raport me shtetet tjera evropiane duke shtuar se qytetarët janë duke hezituar si pasojë e teorive konspirative.