80 pacientë me kancer gati dy javë pa radiografi

Tash 13 ditë me radhë, 80 pacientë që kanë nevojë për shërbimin e radiografisë kanë mbetur pa trajtim.

Reshjet e shiut gjatë dy javëve të kaluara, dëmtuan aparaturat në repartin e Radiografisë në Klinikën e Onkologjisë.

Përkundër premtimit se do të gjendet zgjidhje për pacientët, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka ofruar alternativë.

Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ofroi mundësinë që pacientët e prekur me kancer të marrin shërbimin e nevojshëm në Tiranë.

Kështu bëri të ditur ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Orgeta Manastirliu, nëpërmjet një letre dërguar homologut kosovar, Rifat Latifi.

Përkundër kësaj, një lajm të mirë për pacientët e dha drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ardian Millaku .

Ai i tha T7 nëpërmjet telefonit që aparaturat e Radiografisë u testuan këtë të mërkurë dhe së shpejti pritet që ato të rifunksionalizohen.