80 banorë evakuohen nga zonat e prekura nga vërshimet| AME tregon për pasojat e reshjeve

Agjencia e Menxhimit Emergjent ka njoftuar se si pasojë e vërshimeve të mëdha në Gjakovë e Rahovec, 80 banorë ose 9 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

“Pjesa më e rrezikuar ishte fshati Brekoc respektivisht një lagje e banuar kryesisht nga minoriteti rom, e cila është vërshuar në tërësi nga rritja e nivelit të lumit Erenik, e cila ka vërshuar tërë lagjen dhe ka rrezikuar banorët”, ka thënë zëdhënësi i AME-së, Nehat Koqinaj.

Sipas kësaj agjencie banorët e evakuuar janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër më të sigurt, shkruan Demokracia.com.

“Me intervenimin e ekipeve të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Komuna e Gjakovës u është dalë në ndihmë dhe janë evakuuar 9 familje me së paku 80 anëtar, të cilët janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër të sigurt.”, tha ai.

Po sipas kësaj agjencie nuk ka pasur viktima.

“Viktima nuk ka pasur pos dëmeve materiale të krijuara nga vërshimi i ujit, procesi i vlerësimit është në vijim dhe do të përfundojë me përfundimin e emergjencës. Gjithashtu, janë vërshuar edhe disa lagje të qytetit siç janë lagija e Oabratit, lokacioni i quajtur Pika e zezë afër Hotelit President, fshati Brodosan, Meje, Rugovë e Hasit, rruga “Ahmet Koronica”, pjesa e bllokut të ri te ura e Moglices dhe disa tjera me intensitet me të vogël.”, ka thënë Koqinaj.

Duke iu referuar gjendjes në Gjakovë, Koqinaj tha se situata aktualisht është nën kontroll.

“Nga niveli qendror AME është kërkuar mbështetje dhe ndihmë në sanimin, e situatës, rrjedhimisht edhe janë dërguar dy ekipe të pompimit me kapacitet të lartë, ndeësa ekipi për kërkim shpëtim me barka është në gatitshmëri operacionale për ndihmë zonës së rrezikuar.” Njofton AME.