8 vjet e gjysmë burgim për tre persona për vrasje në tentativë në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve G.H, RR.H dhe RR.H për shkak se: Me datë 07.06.2017, rreth orës 15:05 min, në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre , si bashkëkryes, me dashje tentojnë t’i provojnë nga jeta të dëmtuarit N dhe B.K dhe me këtë rast vëjnë në rrezik jetën e personave tjerë, këtu të dëmtuarve B.R dhe G.L, në atë mënyrë që pas një fjalosjeje në mes të dëmtuarit B dhe të pandehurve, e që ka pasur të bëjë me renovimin e lokalit të të pandehurit G.

“Ky i fundit shkon tek vetura e tij e cila ishte parkuar përball kafiterisë nga ku nxjerrë pushkën automatike dhe nga mesi i rrugës fillon të shtijë në drejtim të të dëmtuarve N e B dhe atë duke zbrazur mbi 17 plumba, ku lëndimet trupore marrin dy kalimtar të rastit, i dëmtuari G në këmbën e djathtë në dy vende, mbi gju dhe në zog të këmbës dhe në shputën e këmbës së majtë deri sa po kalonte mbi “Urën e Zallit”, sikurse e dëmtuara B në këmbën e majtë, në pjesën e pasme të kofshës, deri sa po kalonte afër lokalit, në të njëjtën kohë i pandehuri RR që ishte ulur afër të dëmtuarve, në tavolinën tjetër, ngritët dhe nxjerrë nga brezi pistoletën dhe shtënë në drejtim të të dëmtuarit N gjithsej 4 herë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe atë në regjionin tëmthor të anës së majtë të kokës, në regjionin e zgjatimit të shpinës së unazës torakale të dytë dhe të tretë dhe në regjionin e byzylykut të dorës së djathtë, sikurse i pandehuri RR i cili në ndërkohë kishte dal nga vetura në fjalë me pistoletë, i cili shtien në drejtim të të dëmtuarit B, nga të cilat të shtëna i njëjti merr lëndime të rënda trupore dhe atë në regjionin e parakrahut të dorës së djathtë, në anën e djathtë të regjionit ijor (lumbal), në regjionin e kofshës së këmbës së majtë dhe thyerje të brinjës së dhjetë të anës së djathtë te kafazit të kraharorit, pas së cilës të pandehurit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime të pandehurit si bashkë kryes, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 179 par.1 pika 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së si dhe veprën penale mbajtja në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374
par.1 të KPRK-së,

Të pandehurit G.H, gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e dy muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit RR.H gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e dy muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit RR.H gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vite e dy muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit obligohen që secili veç e veç gjykatës t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej dyqind euro (200) € ndërsa në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 € si dhe shumën prej 50 € për kompensimin e viktimave të krimit, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurorë juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil. Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

loading…