8 të lënduar brenda një ore në aksidente trafiku në Kosovë, Policia apelon për kujdes në vozitje

Që nga mesdita e deri rreth orës 14:00 vetëm në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur tre aksidente.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në rajonin e Prishtinës brenda më shumë se një ore janë lënduar tetë persona si pasojë e aksidenteve të ndodhura.

Në mesditë ka ndodhur një vetëaksident në fshatin Bresje të Fushë Kosovës me ç’rast është lënduar një person.

Ndërkaq rreth orës 13:10 aksidenti i radhës ndodhi në Podujevë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur konkretisht në fshatin Lluzhan të Podujevës ku janë përfshirë katër vetura në një aksident, ku për pasojë katër persona kanë marrë lëndime trupore.

“Rreth orës 13:10, policia ka pranuar një informatë për një aksident trafiku me persona të lënduar që është shkaktuar në fshatin Lluzhan të Podujevës. Të përfshira në këtë aksident ishin katër automjete, deri sa raportohet se tretman mjekësor kanë kërkuar katër persona”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu, në fshatin Vranidoll rreth orës 13:50 në një aksident janë lënduar tre persona të tjerë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se në aksident janë përfshirë dy automjete.

“Njësitet kompetente policore u janë përgjigjur rasteve për hetimin e shkaktarëve në aksident dhe janë ndërmarrë veprimet e tjera të nevojshme”, u shpreh tutje Hoxha.

Duke e parë këtë numër të aksidenteve dhe të lënduarve vetëm në rajonin e Prishtinës për një kohë shumë të shkurtër, Policia e Kosovës ka bërë apel tek shoferët që të kenë kujdes gjatë ngasjes së automjetit të tyre.

“Njësitet kompetente policore iu janë përgjigjur rasteve për hetimin e shkaktarëve në këto aksidente dhe janë ndërmarrë veprime të tjera të nevojshme. Kërkojmë nga drejtuesit e automjeteve të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e kufizimit të shpejtësisë në rrugë, të shmangin përdorimin e telefonave celular dhe mos të drejtojnë automjetin kur janë të lodhur apo në ndikim të alkoolit”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.