Nis kontrollimi i pasurisë për zyrtarët e shtetit, mashtruesit do të ballafaqohen me Prokurorinë

Agjencia Kundër Korrupsionit tashmë ka nisur hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, duke u bazuar në shortin që është hedhur muajin e kaluar. Në AKK kanë treguar se ata që vërtetohet se kanë mashtruar, do të dërgohen në Prokurori.

Albin Kurtit, Besnik Bislimit, Glauk Konjufcës dhe shumë zyrtarëve të lartë publikë, shteti ka filluar t’ua kontrollojë pasurinë.

Atyre u ka rënë shorti i hedhur muajin e kaluar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Nga kjo agjenci kanë folur për Demokracia.com dhe kanë treguar se në çfarë “llupe” do të kalojë pasuria e tyre dhe çfarë masash do t’i marrin nëse ajo nuk përputhet me formularët e dorëzuar.

“Kontrolli i plotë i pasurisë ka nisur më 15 qershor, me hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë, ku janë përzgjedhur 20% të zyrtarëve që kanë qenë subjekte të deklarimit vjetor të pasurisë, dhe të njëjtit do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga AKK. Kontrollit të plotë të pasurisë do t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët publik që janë në listën e shortit për kontroll të plotë të pasurisë së 20%, nga numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese”, kanë treguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për Demokracia.com.

Por, çka saktësisht nënkuptohet me hetimin/kontrollin e pasurisë? Çfarë do të hetohet nga pasuria e zyrtarëve që u ka rënë shorti?

Sipas AKK-së, hetimi bëhet në bazë të ligjeve në fuqi dhe do të shqyrtohet çdo detaj.

“Bazuar në procedurat ligjore të kontrollit të plotë të pasurisë dhe afateve të dhëna nga legjislacioni në  fuqi, AKK e realizon procesin e hetimit/kontrollit në përputhje me fushëveprimtarinë e saj ligjore, për të vërtetuar nëse njëjti subjekt deklarues ka ndonjë element, i cili duhet të verifikohet/trajtohet/hetohet nga AKK, dhe pas mbledhjes dhe sigurimit të informatave dhe dëshmive të siguruara, AKK do të ndërmarrë veprime konform ligjit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Po ashtu, nga AKK kanë treguar se në lidhje me procesin kontrollit të plotë të pasurisë, agjencia fillimisht krahason informatat e regjistrit të deklarimit të pasurisë, shkruan Demokracia.com.

“… nëse ato janë raportuar saktë, sipas legjislacionit në fuqi dhe nëse konstaton elemente se informatat nuk përpurthen me gjendjen reale të pasurisë së një subjekti të caktuar dhe për të arritur të konstatimet përfundimtare, Agjencia zhvillon procedurën e verifikimit të informatave të cilat më pas i nënshtrohen hetimit paraprak, në rastin e dyshimit, ku Agjencia kërkon, mbledh, hulumton dhe analizon dokumentacionin dhe informacionet tjera relevante për rastin dhe kërkon informacione nga personat e përfshirë në rast”, kanë thënë në AKK.

Nëse vërtetohet se në deklarimin e pasurisë dhe pas hetimit ka pasur mashtrime dhe ka të dhëna të mjaftueshme, atëherë do të merren masa.

“Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake konstatohet se ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, Agjencia ia përcjell rastin prokurorisë kompetente për procedim të mëtutjeshëm”, kanë treguar nga AKK.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka shtuar se gjatë fazës së mbledhjes së të dhënave, përveç zyrtarëve të cilët janë subjekt i kontrollit të plotë të pasurisë, kjo agjenci bashkëpunon edhe me institucione të tjera, siç janë Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, njësitë përkatëse të regjistrimit të pronave të paluajtshme dhe institucionet e tjera relevante.

“Të gjithë zyrtarët publik të cilët nuk e deklarojnë pasurinë brenda afateve ligjore dhe të njëjtit nuk paraqesin arsye të mjaftueshme dhe të pranueshme për mos-deklarimin e pasurisë, trajtohen sipas Nenit 430-të të Kodit Penal të Kosovës, ku është përcaktuar se mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare përbën vepër penale. Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”.

Po ashtu është bërë me dije se përveç kontrollit të plotë pasurisë, në lidhje me hetimet për mos-deklarimin e pasurisë, AKK zhvillon hetime edhe 1) sipas detyrës zyrtare; 2) Sipas informacioneve të pranuara nga personat fizik apo juridik; Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake konstatohet se ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, agjencia ia përcjell rastin prokurorisë kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

Agjencia Kundër Korrupsionit përmes shortit të tërhequr muajin e kaluar ka vendosur që t’ua kontrollojë pasurinë disa zyrtarëve të lartë publikë.

Gjatë shortit të tërhequr është bërë e ditur se përpos kryeministri Albin Kurti, pasuria do t’i hetohet edhe dy zëvendësve të tij, Besnik Bislimit e Emilija Rexhepit, po ashtu edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Kontrolli i pasurisë pritet t’u bëhet edhe disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /Demokracia.com/