79 nxënës kidnapohen në një konvikt në Kamerun

Separatistët e dyshuar në Kamerun kanë kidnapuar të paktën 80 nxënës nga një konvikt shkolle në një sulm që ngjante me rrëmbimin e nxënësve në Nigeri nga grupi “Boko Haram” në vitin 2014.

Sulmuesit arritën në shkollën “Nkwen” në Bamenda, kryeqytet i rajonit veri-perëndimor të Kamerunit, të dielën në mbrëmje. Ata kidnapuan më shumë se 80 persona, përfshirë drejtorin e shkollës, një mësues, një vozitës dhe rreth 79 nxënës, sipas një administratori rajonal.

Një mësues i cili jetonte pranë shkollës tha se i ka dëgjuar zërat e sulmit por nuk doli jashtë për shkak të frikës për sigurinë e tij. “Dëgjova një zhurmë të fuqishme gjatë natës, një zhurmë si të pushkës. Isha i frikësuar”, tha Julius Nyamboli. “I fikëm dritat shpejt dhe u shtrimë në shtrat. Në mëngjes pashë shumë njerëz duke u kthyer nga kampusi me fytyra dyshuese. Vrapova shpejt atje dhe kuptova se nxënësit nuk ishin në konvikt”, shtoi ai.

Është ende e paqartë se si nxënësit u larguan nga konvikti. Shkolla ndodhet në një kodrinë të rrethuar me pyje, një vend i preferuar për separatistët për t’u fshehur.

Shumica e shkollave me nxënës anglishtfolës në Kamerun janë mbyllur që nga dhjetori i vitit 2016, kur kishte filluar një kryengritje. Kriza doli nga kontrolli kur autoritetet e shtypën kryengritjen që lidhej me përdorimin e gjuhës frënge në shkolla dhe në gjykata në rajonet ku flitet anglishtja.

Tash, grupet rebele luftojnë kundër ushtrisë dhe mijëra persona janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit. Shkollat të cilat janë ende duke funksionuar kanë vazhduar punën nën kërcënime të ndryshme, të cilat detyruan shumë shkolla të krishtere të pranojnë nxënës të zhvendosur, siç ishte edhe rasti i shkollës “Nkwen”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli